Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të Serbisë dhe ata të Shqipërisë, nga 5 marsi mund të kenë qasje të lirë në tregun e punës në këto tri vende, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e arritur në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.
Sipas Qeverisë maqedonase, qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.
Masa bazohet në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara ndërmjet tri shteteve, anëtare të nismës Ballkani i Hapur, përkatësisht marrëveshjes për kushtet e qasjes së lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjes për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor.
SHIKONI EDHE:
Rama: Ballkani i Hapur dha rezultate, tani me mendje e zemër në Procesin e BerlinitHyn në fuqi marrëveshja kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, fillimisht duhet të marrin numrin e identifikimit Ballkani i Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre, me të cilin aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy vendet e tjera.
Procedura, siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë në Shkup, zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike dhe zgjat deri në 30 ditë.
Në rastin e shtetasve maqedonas, pas regjistrimit në faqen e internetit uslugi.gov.mk dhe paraqitjes së kërkesës për lëshimin e numrit identifikues Ballkani i Hapur (OB ID), i cili gjenerohet menjëherë, hapi tjetër është përdorimi i atij numri për të dorëzuar një kërkesë për lëshimin e certifikatës për qasje të lirë në tregun e punës në Serbi në faqen e internetit euprava.gov.rs ose në Shqipëri e-albania.al.
Nisma Ballkani i Hapur, që fillimisht quhej si Mini Shengen, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
SHIKONI EDHE: Pse përfundoi Ballkani i Hapur dhe çfarë prodhoi?
Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.