Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar ushtrinë ruse të premten ta rrisë sasinë e trupave duke i shtuar edhe 170.000 të tjerë, derisa Moska po e vazhdon luftën prej agresori në Ukrainë.
Ushtria e Rusisë tani i ka 1.3 milionë trupa pas kësaj rritjeje.
Vendimi i Putinit u bë i ditur nga Kremlini të premten dhe u fut në fuqi menjëherë. Ai nënkupton se numri i përgjithshëm i personelit ushtarak rus shkon tani në rreth 2.200.000, përfshirë 1.320.000 trupa.
Kjo është hera e dytë që Rusia e zgjeron ushtrinë kaq shumë prej vitit 2018. Në gusht 2022, Putini urdhëroi shtimin e 137.000 trupave.
SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se Rusia ka shkatërruar mbi 170.000 ndërtesaMinistria e Mbrojtjes e Rusisë tha se urdhri nuk nënkupton “zgjerim të madh të thirrjes në ushtri”, duke shtuar se shtimi i trupave do të ndodhë dalëngadalë duke rekrutuar më shumë vullnetarë.
Ministria e arsyetoi shtimin e trupave me, siç e quajti “operacionin special ushtarak” në Ukrainë dhe zgjerimin e NATO-s.
“Forcat e përbashkëta të armatosura të NATO-s po rreshtohen pranë kufijve të Rusisë, si dhe po vendosen sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë sulmuese. Potenciali i forcave taktike bërthamore të NATO-s po rritet”, tha Ministria ruse në një komunikatë.
Rritja e numrit të trupave ruse është përgjigje me vend “ndaj veprimeve agresive të bllokut të NATO-s”, tha ajo.