Putini e promovon zëvendësshefin e burgjeve ruse, pak ditë pas vdekjes së Navalnyt

Një bashkëpunëtor i Alexei Navalny tha se promovimi i Valery Boyarinevi më 19 shkurt ishte “shpërblim i menjëhershëm nga Putini për torturë”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka promovuar zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit, Alexei Navalny, në një burg të largët të Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

Promovimi i Boyarinevit më 19 shkurt ishte “shpërblim i menjëhershëm nga Putini për torturë”, shkroi Ivan Zhdanov në rrjetin social X, ku e postoi edhe një fotografi të dekretit për provokimin e tij.

“Boyarinevi personalisht e ka udhëhequr torturimin e Alexei Navalnyt në burg. Boyarinevi mori urdhër personal nga FSIN-i për t’ia kufizuar Alexeit blerjen e ushqimit, sikurse për çdo torturë tjetër”, shkroi Zhdanov.

SHIKONI EDHE: Trupi i Navalnyt do të mbahet edhe dy javë për “analiza kimike”, thotë ekipi i tij

Autoritetet e burgut në Arktik njoftuan të premten për vdekjen e Navalnyt.

Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

E veja e kritikut të Kremlinit, Yulia Navalnaya, e ka fajësuar publikisht presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për vdekjen e burrit të saj, si dhe është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër Kremlinit dhe se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e vdekjes së tij.

“Tri ditë më parë, Vladimir Putin, e vrau burrin tim, Alexei Navalny”, tha Yulia Navalnaya në një video të shkurtër në X.

Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

SHIKONI EDHE: Mbi 67.000 rusë kërkojnë zyrtarisht që trupi i Navalnyt t’i kthehet familjes

Grupi për të drejtat e njeriut, OVD-Info, e ndërmori këtë nismë në një kohë kur Bashkimi Evropian bëri thirrje për një hetim të brendshëm të pavarur për vdekjen e Navalnyt në një burg të largët në Arktik.

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.