Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka uruar Nicolas Maduron për një mandat të ri presidencial në Venezuelë, duke thënë se Moska gëzohet për partneritetin strategjik me këtë shtet në Amerikën Jugore, dhe që Maduro është gjithmonë i mirëpritur në Rusi.
Maduro dhe rivali i tij opozitar, Edmundo Gonzalez, kanë shpallur fitore në zgjedhjet presidenciale, derisa Uashingtoni dhe Qeveria tjera të huaja, janë të shqetësuara dhe dyshojnë në të dhënat zyrtare që e kanë nxjerrë Maduron si fitues.
Autoriteti zgjedhor ka thënë pas mesnatës se Maduro ka fituar mandatin e tretë me 51 për qind të votave – rezultat që mund ta zgjasë në çerek shekulli pushtetin e tij socialist.
“Marrëdhëniet ruso-venezuelase kanë karakterin e partneritetit strategjik”, ka thënë Putin në një mesazh drejt Maduros, ka thënë Kremlini.
“Jam i bindur që veprimet tuaja në krye të shtetit do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillim progresiv në të gjitha drejtimet”.
“Mos harroni, ju jeni gjithmonë i mirëseardhur në tokën ruse”, është cituar të ketë thënë Putin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashigtoni ka shqetësimet serioze që rezultatet nuk reflektojnë vullnetin e popullit.
SHIKONI EDHE: SHBA e shqetësuar që fitorja e Maduros nuk reflekton vullnetin e popullitAutoritetet zgjedhor do të duhej të ishte trup i pavarur, mirëpo opozita thotë se vepron në të mirë të Qeverisë së Maduros.
Uashingtoni, i cili ka kundërshtuar rizgjedhjen e Maduros si lider shteti edhe më 2018, i ka hequr sanksionet ndaj industrisë së naftës së Venezuelës, në tetor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj një marrëveshjeje të Maduros me parti opozitare.
Pak kohë më vonë Uashingtoni i ka rikthyer sanksionet, për shkak të atyre që i ka quajtur veprime që kanë kërcënuar votën demokratike, dhe ka thënë se do të vlerësojë politikën e sanksioneve, varësisht prej mbarëvajtjes së zgjedhjeve.