Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, Avril Haines, ka paralajmëruar se sanksionet dhe ndalesat në fushëbetejë, ka pak mundësi të ndalin presidentin rus, Vladimir Putin nga synimi i tij për pushtim të Ukrainës dhe madje mund të rrisin ofensivën e tij në këtë shtet.
Duke folur në një seancë të Kongresit amerikan për kërcënimet e sigurisë globale, Haines ka thënë më 8 mars se përshkallëzimi i kostove të luftës në Ukrainë, që deri tani mund të kenë shkuar në mijëra jetë të humbura të rusëve, mund të zemërojnë Putinin dhe t’ia ndryshojnë këndvështrimin për atë që mund të konsiderohet fitore.
“Analistët tanë vlerësojnë se Putin ka pak mundësi të ndalet nga pengesat në fushëbetejë. Në të kundërtën, ai mund të përshkallëzojë situatën”, ka thënë Haines.
Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë që Moska ka nënvlerësuar aftësinë e Ukrainës për t’u përballur me sulmet dhe se mbetet e paqartë nëse Putin synon të kontrollojë gjithë Ukrainën.
Nëse kjo qëndron, atëherë, sipas SHBA-së, atij do t’i duhet të angazhojë forca shtesë, apo të koncentrohet në zona më të vogla.
SHIKONI EDHE: Ministri britanik: Pushtimi i Ukrainës do të shënojë rënien e PutinitSulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.