Putin e paralajmëron SHBA-në me një doktrinë të re bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e miratoi të martën një doktrinë të përditësuar bërthamore, e cila thekson se Rusia mund ta shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse sulmohet me raketa konvencionale me mbështetjen e një fuqie bërthamore.

Vendimi për ta ndryshuar doktrinën zyrtare të Rusisë është përgjigje e Kremlinit ndaj vendimit të raportuar të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën të hedhë raketa amerikane me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë.

SHIKONI EDHE: A do ta ndryshonin trajektoren e luftës sulmet e Ukrainës thellë në Rusi?

Doktrina e përditësuar, e cila shpalos kërcënimet të cilat mund ta shtyjnë udhëheqësinë e Rusisë ta mendojë sulmin bërthamor, thekon se një sulm me avionë luftarakë, dronë apo raketa konvencionale mund të konsiderohet si kërcënim i tillë.

Sipas kësaj doktrine, çdo agresion kundër Rusisë nga një shtet i cili është anëtar i një koalicioni do të konsiderohet nga Moska agresion nga i tërë koalicioni.

SHIKONI EDHE: Kërcënimet e reja bërthamore të Putinit - vetëm zhurmë?

Pak javë para zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, Putini urdhëroi ndryshimin e doktrinës bërthamore për të theksuar se çdo sulm konvencional ndaj Rusisë i ndihmuar nga një fuqi bërthamore mund të konsiderohet sulm i përbashkët kundër Rusisë.

Lufta në Ukrainë, e cila nisi në shkurt 2022, ka nxitur konfrontimin më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit prej krizës raketore të Kubës më 1962.