Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i tha homologut francez, Emmanuel Macron, se Perëndimi duhet të ndalojë furnizimin e Ukrainës me armë.
Dy liderët biseduan të martën përmes telefonit.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera janë duke e ndihmuar Ukrainën me armatim për t’iu kundërvënë pushtimit rus.
Duke i akuzuar forcat e Ukrainës për “kryerje të krimeve të luftës”, Putin tha se “Perëndimi mund të ndihmojë në ndalimin e këtyre mizorive, duke ushtruar presion të duhur mbi autoritetet e Kievit, si dhe duke ndaluar furnizimin me armë të Ukrainës”.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Putin gjithashtu tha se Kievi nuk është i gatshëm për “bisedime serioze” për t’i dhënë fund konfliktit.
“Pala ruse është ende e hapur për dialog”, citohet t’i ketë thënë Putin Macronit.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenca franceze tha se Macron ka përsëritur thirrjet për Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Putinit i ka kërkuar që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal, në qytetin e Mariupolit.
Në dy ditët e fundit, mbi 150 civilë janë evakuuar nga bunkerët nën Azovstal, pas më shumë se dy muajsh të bllokuar atje.
Së paku edhe dhjetëra të tjerë besohet se mbeten ende në bunkerë.
I gjithë Mariupoli, përveç zonës rreth Azovstalit, është nën kontrollin e forcave ruse.
Your browser doesn’t support HTML5
Macron është një nga udhëheqësit e paktë perëndimorë që bisedon me Putinin, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.
Nga lufta në Ukrainë janë vrarë mijëra njerëz, ndërsa janë zhvendosur mbi 13 milionë.