Putin, Grossit: Moska është e hapur për të diskutuar rreth centralit në Zaporizhja

Presidenti rus, Vladimir Putin në takim me shefin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë shefit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, që ai është “i hapur për dialog” rreth centralit bërthamor në Zaporizhja.

Putin i ka thënë Grossit në Shën Petersburg se situata rreth centralit është “shqetësuese”.

Centrali bërthamor në Zaporizhja – më i madhi në Evropë – ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore.

Grossi është takuar me Putinin, në kuadër të përpjekjeve të Agjencisë që udhëheq, për të parandaluar një aksident.

SHIKONI EDHE: Zaporizhja shpallet "pronë federale" e Rusisë

Grossi po ashtu ka shtyrë përpara idenë e krijimit të një zone të sigurisë rreth centralit.

Grossi do të takohet edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev, më vonë gjatë kësaj jave, për të diskutuar rreth centralit.

“Nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Grossi, duke shtuar se situata rreth centralit është “e rrezikshme, jostabile dhe sfiduese”, për shkak të sulmeve të shpeshta rreth zonës.

Grosis është takuar me Zelenskyn javën e kaluar për të diskutuar mundësinë e krijimit të një zonë të mbrojtur afër centralit, i cili kontrollohet nga trupat ushtarake ruse prej muajit mars, ndonëse në të ka staf ukrainas.

Mediat kanë raportuar disa herë se stafi në këtë central ka punuar nën presion dhe jo në kushte të favorshme, prej kur forcat ruse kanë marrë kontrollin e tij.

SHIKONI EDHE: Mbyllja e centralit bërthamor në Zaporizhja zvogëlon rreziqet

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.