Reuters
Lideri kinez, Xi Jinping, u bë udhëheqësi më i lartë i vendit një dekadë më parë, kur u emërua sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak në Kongresin e 18-të të partisë. Një vit më vonë, në muajin mars, ai u bë president.
Në Kongresin e 20-të të Partisë, që do të nisë më 16 tetor, Xi pritet të sigurojë një mandat të tretë lidershipi, duke vulosur kështu statusin e tij si sundimtari më i fuqishëm i vendit që nga koha e Mao Ce Dunit, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës.
Xi e akumuloi fuqinë e tij edhe përmes lëvizjeve specifike, por edhe gradualisht me kalimin e kohës. Duke vepruar kështu, ai e zhvendosi Kinën nga një traditë e udhëheqjes kolektive, me sekretarin e përgjithshëm, i cili konsiderohej i pari ndër të barabartët në Komitetin e përhershëm të byrosë politike, në atë që tani shihet gjerësisht si lidership suprem.
SHIKONI EDHE: Bie reputacioni për Kinën "nën udhëheqësinë e Xi-së"Më poshtë janë mënyrat kryesore përmes së cilave Xi forcoi kontrollin e tij, sipas analistëve dhe ekspertëve:
- Ai ndërmori një fushatë gjithëpërfshirëse për të spastruar zyrtarët që konsideroheshin të pabesë, të korruptuar ose të paefektshëm dhe ndërtoi bazën e tij të pushtetit duke i mbushur ato poste me njerëzit e tij. Deri më tani janë hetuar 4.7 milionë zyrtarë.
- Xi vendosi aleatë të besuar në krye të menaxhimit të burimeve njerëzore të partisë, të cilët kontrollojnë emërimet kryesore të personelit. Shefi i tij i parë i Departamentit të Organizimit ishte Zhao Leji, babai i të cilit kishte punuar për babanë e Xi-së. Pas tij, në vitin 2017, erdhi Chen Xi, një ish-shok i shkollës nga Universiteti Tsinghua.
- Ai forcoi kontrollin e ushtrisë duke iniciuar reforma gjithëpërfshirëse dhe shkurtime nga viti 2015.
- Ai kontrolloi aparatin e sigurisë së brendshme me një fushatë të vazhdueshme "spastrimi" që ka rrëzuar shumë drejtues policie dhe shumë gjyqtarë.
- Nga viti 2015, ai urdhëroi Parlamentin dhe organet e tjera, përfshirë kabinetin dhe Gjykatën Supreme, që ta informojnë atë për raportet e tyre vjetore të punës.
- Xi u tha mediave shtetërore në vitin 2016 që ta pranojnë autoritetin e partisë ngase “mbiemri i tyre është partia”. Që atëherë, liria e medias u ul në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa propaganda e lidhur me Xi Jinpingun u rrit.
- Ai e emëroi veten zyrtarisht në vitin 2016 si "bërthama" e partisë – lideri suprem.
- Xi ndryshoi Kushtetutën e partisë më 2017, ku përfshiu Mendimin Xi Jinping mbi socializmin me karakteristika kineze. Pasja e një ideologjie eponime, pra ideologjie që njihet si e tij, e vendosi atë në të njëjtin nivel me Mao Ce Dunin dhe Deng Xiaopingun.
- Ai e bëri të qartë rolin suprem të partisë duke proklamuar në vitin 2017 fjalinë: "Partia, qeveria, ushtria, populli, arsimi; lindje, jug, perëndim, veri: partia udhëheq gjithçka".
- Ai ndryshoi Kushtetutën e vendit në vitin 2018, ku hoqi kufizimet e mandatit për presidentin dhe ia mundësoi vetes që të qeverisë gjithë jetën..
- Partia u zotua për besnikëri ndaj tij, në një rezolutë historike të miratuar në vitin 2021.