Pasi banorët e Moskës u vunë nën masa të ashpra të izolimit për shkak të koronavirusit të ri, doli në pah një shaka ksenofobike, se pamjet e vazhdueshme të punëtorëve migrantë në rrugë, tregojnë se kush në të vërtetë e udhëheq kryeqytetin rus.
Imazhet e punëtorëve sezonalë, që tregonin se ata po shkonin pas punëve të tyre, ushqenin idenë se janë kursyer nga masat e qëndrimit në shtëpi, të cilat po zbatohen për të kontrolluar përhapjen e pandemisë.
Në fakt, nuk është se ata kishin shumë zgjidhje.
Për shumë njerëz nuk ekziston mundësia e kthimit në shtëpi, edhe nëse ata dëshironin, duke i lënë në një situatë të ngjashme me 200 milionë punëtorë migrantë në të gjithë globin, që përballen me rrënimin ekonomik, rreziqet për shëndetin e tyre dhe përballjen me diskriminimin derisa përpiqen të tejkalojnë krizën.
Nuk mund ta lësh Rusinë, vazhdo punën
Në mesin e muajit mars, Rusia ndaloi fluturimet e pasagjerëve në linjat ndërkombëtare dhe shërbimet hekurudhore, masa këto të njëjta me vendet prej nga e kanë prejardhjen punëtorët. Kjo situatë, ka lënë të bllokuar qindra mijëra nga 7 milionë migrantë, që posedojnë dokumente të rregullta përfshirë edhe ata që nuk i kanë ato.
Komentet e zyrtarëve rusë sinjalizuan se është më e sigurt për ekonominë, dhe vetë migrantët që të vazhdojnë punën, sesa të vetizolohen.
"Sipas vlerësimeve të ndryshme, ne besojmë se diku nga 1 deri në 2 milionë migrantë, punojnë në rajone", tha zëvendëskryeministri rus, Marat Khusnullin, në mbledhjen e qeverisë që u mbajt në fillim të prillit. Deklarata u bë para se Rusia të goditej fuqishëm nga pandemia.
Ai tregoi pse është thelbësore që punëtorët në sektorin e ndërtimit të vazhdojnë punën.
"Ata nuk mund të largohen - shumica sepse kufijtë dhe mundësitë e lëvizjes tashmë janë të mbyllura - dhe do të ishte më mirë nëse ata janë në punë dhe jo në konvikte", deklaroi Khusnullin.
Më 14 prill, autoritetet zbuluan 35 raste të të infektuarve me koronavirus në një konvikt që strehonte më shumë se 470 punëtorë migrantë në qytetin Leningrad. Në parlament qarkulloi një propozim për të zgjatur automatikisht lejet e punës së punëtorëve, duke i kursyer ata që të mos rreshtoheshin jashtë zyrave të migracionit për të siguruar një qëndrim ligjor.
Rikthimi i fatit
Pjesa dërrmuese e punëtorëve migrantë në Rusi janë nga vendet e Azisë Qendrore dhe llogaritet se kanë dërguar më shumë se 8 miliardë dollarë shtëpi, në formën e dërgesave në vitin 2019.
Por, transferet e parave nga të cilat varet familjet e migrantëve dhe në masë të madhe edhe vendet amtare, janë përgjysmuar për shkak të krizës me COVID-19.
"Kam dërguar 400 - 500 dollarë çdo muaj. Por, për dy muajt e fundit, ne nuk ishim në gjendje të dërgonim asgjë në Uzbekistan", tha 23-vjeçari, Kasim Rakhimov, për Shërbimin e Uzbekistanit të Radios Evropa e Lirë.
"Për shkak të koronavirusit, restoranti ynë përfundimisht e ndali punën dhe 50 punëtorë mbetën pa paga. Ata janë të gjithë nga Uzbekistani, Taxhikistani dhe Kirgizia. Tani ne të gjithë jemi duke kërkuar punë të tjera. Shpresojmë që do të gjejmë diçka", tha ai.
Situata e afro 1 milion punëtorëve sezonalë në Rusi që janë nga Taxhikistani, është shumë e rëndë.
Ata dërgojnë 2.6 miliardë dollarë në shtëpi, duke e mbushur më shumë se 30 për qind buxhetin e këtij shteti të varfër.
Por, në këtë situatë anëtarët e familjes nga Taxhikistani, po kërkojnë mënyra për të dërguar para në Rusi, në mënyrë që t'i mbështesin ata.
Farrukh Zardakov, 33 vjeç, është ndër punëtorët që janë mbërthyer në Rusi.
Ai i tha përmes telefonit Shërbimit të Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë se "ka mbetur pa punë dhe pa para".
"Më thirrën nga shtëpia dhe më thanë të më dërgojnë para, por unë nuk munda", tha ai.
"Ata blenë një thes miell, por ndoshta do të marrin hua nga dikush. Këtu unë jam i papunë dhe kemi 18 persona që jetojnë në një shtëpi", tha ai.
Nuk ka vend në shtëpi për ukrainasit
Gjatë vitit 2019 punëtorët migrantë ukrainas kontribuuan 12 miliardë dollarë - më shumë se 10 për qind të GDP-së, në ekonominë e trazuar të vendit të tyre. Më shumë se 3 milionë punonin jashtë vendit kur ndodhi shpërthimi i pandemisë, shumica në shtetet e BE-së si Polonia, Republika Çeke dhe Italia.
Kjo bëri që dhjetëra mijëra të ktheheshin në shtëpi në një kohë kur Ukraina tashmë po merrej me papunësinë në rritje.
Vetëm në muajin mars më shumë se 155,000 ukrainas - përfshirë turistë, punëtorët migrantë dhe të tjerët - u kthyen në vendlindje.
Në përpjekje për të hyrë në vendin e tyre, pasi u vendosën kufizime të rrepta kufitare, një numër i madh i ukrainasve formuan radhë të gjata në pikat e kontrollit në kufijtë polakë dhe hungarezë.
"Përhapja e COVID-19, si pasojë e kësaj edhe mbyllja e bizneseve dhe ngadalësimi ekonomik në BE dhe te fqinjët e saj, shkaktuan një rritje të kthimit të punëtorëve migrantë në Ukrainë, duke ngritur një numër shqetësimesh për mbrojtjen dhe duke rënduar peshën e ndikimit të gjerë socio-ekonomik të pandemisë", tha në fillim të këtij muaji, Anh Nguyen, shefi i misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) në Ukrainë.
Kurthet në internet dhe trafikimi i qenieve njerëzore
Sipas IOM-it, në kohë krize, punëtorët migrantë, janë më në rrezik të shfrytëzimit, përfshirë trafikimin me qenie njerëzore.
Sipas organizatës, ata që mendojnë të kthehen në shtëpi rrezikojnë të akuzohen se po dërgojnë me vete sëmundjen e koronavirusit të ri.
IOM tha se vënia në karantinë në fillim të marsit e ukrainasve të evakuuar nga provinca Vuhan e Kinës, "tregoi se si një perceptim i kërcënimit për shëndetin publik mund të përshkallëzohej me shpejtësi në (një shpërthim dhune) në komunitet".
Organizata tha se "në shumë vende, koronavirusi nxori në pah frikën, stereotipat dhe ksenofobinë".
Nuk mungojnë shembujt e sulmeve në internet, media sociale dhe të tjera.
Irina Corobcenco, një aktiviste e grupit për të drejtat e njeriut - Promo-LEX, shpjegoi se fenomeni i gjuhës së urrejtjes kohët e fundit doli në pah në Moldavi.
Your browser doesn’t support HTML5
Ky vend sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës kontribuon me rreth 430,000 njerëz në numrin e përgjithshëm të punëtorëve migrantë në botë.
"Në varësi të mënyrës së zhvillimit të pandemisë intensiteti i këtij mesazhi të urrejtjes mund të rritet, ai mund të shndërrohet në dhunë sepse çdo shoqëri duhet të gjejë një fajtor", i tha ajo Shërbimit të Moldavisë të Radios Evropa e Lirë.
Shembuj të tjerë janë më pak të drejtpërdrejtë, siç është një vërshim i komenteve dhe ri-shpërndarjes së një artikulli të gazetës pro-Kremlin Izvestia, që mbante titulllin: “Migrantët provojnë trafikun e drogës. Humbjet masive të punës për të huajt mund t'i çojë ata drejt krimit të organizuar".