Pse zgjedhjet në SHBA do të vendosen nga "shtetet e luhatshme"

Një qytetar amerikan duke votuar në zgjedhje presidenciale. (Fotografi nga arkivi)

Me afrimin e zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, kandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Kalama Harris, kanë bërë vizita të shumta në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, me shpresë se do t’i joshin një përqindje të vogël të votuesve të pavendosur në këto shtete, të cilët mund ta kthejnë rezultatin në të mirë të tyre.

Së bashku me “shtetet e tjera të luhatshme”, këto tri shtete do vendosin se kush do të bëhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Në fakt, rezultati mund të vendoset nga jo më shumë se 150.000 votues nga këto shtete.

Më poshtë mund të lexoni çfarë duhet të dini për shtetet e luhatshme dhe ndikimin e tyre në garën presidenciale.

Çfarë janë shtetet e luhatshme?

“Shtetet e luhatshme” janë shtete ku gara është shumë e fortë dhe e ngushtë, dhe votat e tyre do të vendosin se kush do të bëhet presidenti i radhës i Shteteve të Bashkuara. Këtë vit, ato janë: Pensilvania, Miçigani, Uiskonsini, Arizona, Nevada, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut.

Shtetet e luhatshme kanë ndryshuar me kalimin e kohës, për shkak se kanë ndryshuar edhe partitë politike, çështjet dhe demografia.

SHIKONI EDHE: Harris hidhet në sulm në një debat sprovues me Trumpin

Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsini, me popullsinë e tyre të madhe të klasës punëtore, kanë votuar historikisht për kandidatin demokrat. Por, që të trija ndryshuan më 2016 dhe e votuan Trumpin, i cili bëri fushatë kundër politikave të tregtisë nga të cilat, tha ai, përfitonin elita në kurriz të punëtorëve. Trumpi premtoi taksë ndaj mallrave të importuara dhe kthimin e vendeve të punës në industrinë e prodhimit.

Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, nga ana tjetër, historikisht kanë votuar për republikanët në zgjedhjet presidenciale, por garat në këto dy shtete janë bërë shumë më të ngushta vitet e fundit.

Në Karolinën e Veriut ka shkuar një fluks njerëzish nga Nju Jorku dhe shtete të tjera që historikisht votojnë për demokratët, ndërsa në Xhorxhia ka pasur një rritje të përqindjes së njerëzve me ngjyrë dhe grupeve të tjera joshumicë. Amerikanët me ngjyrë historikisht votojnë në mënyrë dërrmuese për demokratët.

Pse funksionon kështu?

Fenomeni i shteteve të luhatshme është rezultat i sistemit të ndërlikuar të votave elektorale në SHBA dhe faktit se në shumë shtete, e njëjta parti ka fituar në zgjedhjet presidenciale përsëri dhe përsëri, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) David Schultz, profesor i shkencave politike në Universitetin Hamline në Minesotë.

Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera me sistem presidencial, Shtetet e Bashkuara nuk e zgjedhin liderin e tyre bazuar në rezultatin e votës popullore. Në vend të kësaj, fituesi përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve në secilin shtet veç e veç.

“Në Shtetet e Bashkuara, janë 50 palë zgjedhje të ndara në secilin nga 50 shtetet, plus Distrikti i Kolumbias, të cilat përfundimisht votojnë për presidentin e Shteteve të Bashkuara”, tha Schultz, redaktor i librit të vitit 2019 “Presidential Swing States".

Me disa përjashtime, secili shtet ia jep të gjitha votat e kolegjit elektoral kandidatit i cili i fiton shumicën e votave në atë shtet. Fituesi i votës popullore në Pensilvani, për shembull, i merr 19 votat e kolegjit elektoral.

Your browser doesn’t support HTML5

Si funksionon sistemi zgjedhor në SHBA?

Një kandidati i nevojiten 270 nga 538 votat e kolegjit elektoral për ta fituar garën për president.

Secili shtet ka një numër votash të kolegjit elektoral, përafërsisht bazuar në madhësinë e popullsisë së tij. Alaska, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Vermonti dhe Uaiomingu i kanë nga tri vota të kolegjit elektoral, po ashtu edhe Distrikti i Kolumbias.

Katër shtetet me numrin më të madh të votave janë, Kalifornia me 54; Teksasi me 40; Florida me 30; dhe Nju Jorku me 28.

Në 38 shtete, e njëjta parti ka marrë shumicën e votave në çdo palë zgjedhje presidenciale prej fillimit të këtij shekulli, shpesh duke fituar me një dallim të madhe. Vetëm 12 shtete kanë “ndryshuar” të paktën një herë prej vitit 2000.

Në disa shtete, e njëjta parti ka fituar për një periudhë edhe më të gjatë: Votuesit në Minesotë, për shembull, ia kanë dhënë shumicën e votave të tyre kandidatit demokrat që nga viti 1976, ndërsa në Teksas, republikanët kanë fituar që nga viti 1980.

"Në 40 vjetët e fundit ose më shumë, shtetet janë rregulluar. Disa shtete kanë më shumë demokratë që votojnë, disa shtete kanë më shumë republikanë që votojnë. Dhe, për shkak se besnikëria ndaj partisë është kaq e fortë, ne e dinim shumë vite përpara zgjedhjeve të vitit 2024 se sa shtete do të votojnë”, tha Schultz.

Si duken gjërat këtë vit?

Harris mund të llogarisë arsyeshëm se do t’i marrë të paktën 226 vota elektorale, duke fituar shtete si Kalifornia, Illinoisi dhe Nju Jorku, sipas 270towin.com, një uebsajt i pavarur që grumbullon sondazhe dhe projeksione profesionale për zgjedhjet.

Trump pritet t’i marrë të paktën 219 vota elektorale, duke mbizotëruar në shtete si Teksasi, Florida dhe Tenesia.

Kjo nënkupton se shtatë shtetet luhatëse, me 93 votat e tyre elektorale, do ta përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Kur ka mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhje, Harris prin në katër nga shtetet luhatëse, ndërsa Trumpi në tri, sipas një analize të sondazheve nga The Hill, një medium me bazë në Uashington. Por, margjinat janë shumë të ngushta: Më pak se 1 për qind e votës ndan kandidatët në pesë shtetet të luhatshme, dhe më pak se 2 për qind në dy të tjerat, sipas sondazhit.

SHIKONI EDHE: Mënyrat e financimit të fushatave politike në SHBA

Schultz tha se 150.000 deri në 200.000 vota nga shtatë shtetet e luhatshme – ose rreth 0.1 për qind e të gjitha votave që pritet të hidhen – do të vendosin se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Kjo nuk do të ishte diçka e paparë. Një total prej 537 votash në Florida e vendosi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, kur republikani George W. Bush e mundi demokratin Al Gore.

Megjithatë, gara e këtij viti po shkon duke u bërë më shumë si ajo e vitit 2020 sesa si ajo e vitit 2000 në lidhje me shtetet kryesore në garën zgjedhore.

Në zgjedhjet e vitit 2020, demokrati Joe Biden fitoi lehtësisht votën popullore, duke marrë rreth 80 milionë vota kundrejt 74 milionë votave të Trumpit.

Biden i fitoi Xhorxhian, Arizonën dhe Uiskonsin me një numër të përgjithshëm prej vetëm 44.000 votash. Pa këto shtete, ai do të kishte 269 vota elektorale, që nënkupton se ai do kishte numrin e ngjashëm të votave me Trumpin dhe kështu do ta kishte detyruar Kongresin të votojë për president. Kjo ka ndodhur vetëm një herë, në vitin 1800.

Cili është çelësi i triumfit në shtetet e luhatshme?

Fituesi në shtetet e luhatshme – dhe rrjedhimisht i zgjedhjeve në tërësi – shpesh përcaktohet nga vetëm disa qarqe, si Marikopa në Arizonë, Uajn në Miçigan dhe Broun në Uiskonsin.

“Për mua, zgjedhjet vërtet do të vendosen nga disa votues të pavendosur në qarqet e luhatshme në disa shtete të luhatshme”, tha Schultz.

Pensilvania, me 19 votat e saj elektorale, është më e rëndësishmja nga shtatë shtetet e luhatshme. Dhe qarku Lakauana, me qendër në Skranton, është fushëbeteja kryesore, tha Schultz.

“Cilido që të jetë [rezultati] në Skranton, do të jetë edhe ai i zgjedhjeve presidenciale amerikane përsëri”, shkroi ai në një postim në Substack muajin e kaluar. “Në vitin 2024 qarku Lakauana do të jetë përsëri qarku vendimtar që përcakton nëse Donald Trump ose Kamala Harris do të jenë president”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi