Pse Norvegjia synon ta gërmojë fundin e detit?

Akullnaja në arkipelagun norvegjez Svalbard - Fotografi nga arkivi.

Reuters

Norvegjia mund të bëhet shteti i parë që nis gërmimin komercial në zonat e thella të detit, nëse Parlamenti e miraton një propozim qeveritar për ta rritur një zonë në detin e hapur, më të madhe sesa Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për moratorium global.

Parlamenti pritet ta diskutojë projektligjin në vjeshtën e këtij viti.

Pse Norvegjia dëshiron t’i nxjerrë mineralet nga shtrati i detit?

Qeveria ka thënë se gërmimi në zonat e thella të detit mund t’i ndihmojë Evropës në ulje të varësisë ndaj Kinës për furnizime me minerale të nevojshme për ndërtimin e baterive për makinat elektrike, turbinat e erës dhe panelet solare.

Ky vendim është edhe pjesë e strategjisë së Norvegjisë për të zhvilluar industri të reja, pasi rezervat e saj të naftës dhe gazit natyror, pritet të zvogëlohen gradualisht.

Çfarë propozon Qeveria?

Qeveria e udhëhequr nga laburistët ka propozuar hapjen e rreth 280.000 kilometrave katrorë të zonave oqeanike në mes të ishullit Jan Mayen dhe arkipelagut Svalbard.

Plani i propozuar është i ngjashëm me parimet paraprake për hapje të zonave të ngjashme për eksplorim të naftës dhe gazit.

Prej gjithë zonës, një pjesë planifikohet t’iu ofrohet kompanive për eksplorim dhe prodhim.

Meqë ligjet ndërkombëtare për nxjerrje të mineraleve nga shtrati i detit ende janë në hartim e sipër, Norvegjia nuk ka nevojë të presë.

Çfarë mineralesh synon të nxjerrë Norvegjia nga shtrati i detit?

Një sondazh i sponsoruar nga Qeveria ka gjetur sasi “të konsiderueshme” të metaleve dhe mineraleve, duke nisur nga bakri, e deri te elementet tjera të rralla.

Këto minerale janë gjetur në sulfide molimetalike rreth 3.000 metra në thellësi të detit.

Në atë zonë besohet se uji i detit bie në kontakt me magmën që ngjitet lart në sipërfaqe, përmes çarjeve tektonike, dhe më pas përhapet në formë metalesh apo si sulfur.

Elementët e rrallë të Tokës, sikurse skandiumi, janë gjetur në thellësi të detit, të cilët rriten me shpejtësi një centimetër për miliona vjet.

Sondazhet norvegjeze kanë gjetur se depozitat e këtyre elementeve të rralla aktualisht e kanë trashësinë e deri në 40 centimetrave.

A ka jetë në fund të detit?

Në thellësi mbi 1.000 metra nuk ka dritë, temperaturat janë gati të akullta dhe presioni i ajrit është shumë i madh.

Megjithatë, jetë ka, pasi shkencëtarët kanë gjetur specie unike të gjalla në atë pjesë, sikurse disa lloje të koraleve, disa lloje të krimbave dhe mikrorganizmave.

Prapëseprapë, pak dihet se si funksionojnë këto ekosisteme.

Lloji i koraleve të zeza Umbellapathes litocrada.

Çfarë rreziqesh përbëjnë për ambientin?

Një studim i monitoruar nga agjenci qeveritare ka dalë me gjetjet se ndikimi i gërmimeve në natyrë do të kufizohet vetëm në zonën ku nxirren mineralet.

Disa kompani kanë thënë se planifikojnë të nxjerrin minerale nga zonat ku ka më pak biodiversitet, mirëpo disa shkencëtarë kanë thënë se janë të shqetësuar që praktika mund t’i shkatërrojë disa lloje të gjallesave, ende pa u zbuluar.

Propozimi qeveritar është kritikuar nga disa grupe, sikurse Fondi Botëror për Jetën e Egër, mirëpo edhe nga vetë agjencia e saj për ambientin, e cila ka thënë se mungesa e njohurive për biologjinë në thellësi të detit është tepër e madhe për të marrë vendim për gërmim.

Akulli lundrues në Oqeanin Arktik, 14 shtator 2020.

Çfarë kanë thënë vendet tjera?

Danimarka ka thënë se studimet norvegjeze për hapje të zonës nuk janë të mjaftueshme, derisa Islanda i ka vënë në pikëpyetje të drejtat ekskluzive të Norvegjisë për të eksploruar minerale afër arkipelagut Svalbard.

Norvegjia nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, mirëpo është anëtare e tregut të përbashkët evropian.

Disa analistë kanë thënë se qëndrimet e BE-së për këtë çështje janë të rëndësishme për planet e Oslos.

Norvegjia është e inkurajuar nga ambiciet e BE-së për t’i diversifikuar importet e mineraleve të rëndësishme dhe për ta rritur prodhimin lokal.

Megjithatë, Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje vendeve anëtare që ta mbështesin një moratorium për gërmim të shtretërve të deteve.

Komisioni Evropian ka bërë thirrje, po ashtu, për një moratorium derisa të dihet më shumë për rreziqet.

Ndryshimet klimatike shkrijnë stacionin më verior kërkimor në botë

Si mund të nxirren mineralet nga thellësia?

Aktualisht ,nuk ekziston teknologji për prodhim të mineraleve që gjenden në thellësi të deteve, ndonëse disa makina janë ndërtuar për të testuar prodhimin.

Hulumtuesit në Norvegji i kanë përdorur robotët nënujorë dhe makinat e shpimit për t’i mbledhur disa mostra të mineraleve nga thellësia e oqeaneve.

Nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit në Norvegji mund të nënkuptojë thyerjen dhe shkatërrimin e shkëmbinjve para se ata të dalin në sipërfaqe.

Disa kompani norvegjeze që ofrojnë teknologji dhe shërbime për industrinë e nxjerrjes së naftës, po synojnë të përfshihen edhe në gërmimin e sipërfaqes së thellë të oqeaneve.

Përgatiti: Krenare Cubolli