Pse njerëzit po heqin dorë nga doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19?

Një dozë e vaksinës së Pfizerit.

Deri më 5 maj, 249 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 u administruan në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave zyrtare, 107 milionë persona janë vaksinuar plotësisht (me dy doza të vaksinave të Pfizerit dhe Modernas ose me një dozë të vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson), që përbën 32.3 për qind të popullsisë së përgjithshme të SHBA-së.

Megjithatë, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), kohët e fundit kanë raportuar se afërsisht 8 për qind e personave që marrin dozën e parë në SHBA, nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës. Kjo ka ngritur shqetësimin se shmangia e marrjes së dozës së dytë do të pamundësojë që SHBA-ja të arrijë imunitetin e tufës. Përse?

Për të dy vaksinat që përdoren në SHBA, ajo e Pfizer/BioNTech dhe Moderna, është e nevojshme që të merren dy doza me qëllim që të arrihet imunizimi dhe mbrojtja maksimale kundër koronavirusit.

Your browser doesn’t support HTML5

Brenda fabrikës ku prodhohet vaksina e Pfizer/BioNTech

Anthony Fauci, drejtor i Institutit kombëtar në SHBA për Alergji dhe Sëmundje Infektive, kohëve të fundit ka lënë të kuptohet se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos sigurojnë imunitetin e kërkuar për mbrojtje nga COVID-19, në krahasim me vaksinimin e plotë, përmes dy dozave.

“Kur shikoni nivelin e mbrojtjes pas një doze mund të thoni se është 80 për qind, por disi një 80 përqindësh i dobët”, deklaroi Fauci në fund të prillit. “Kur merrni vetëm një dozë, ngrihet pyetja se sa do të zgjasë imuniteti?”.

Për shkak se variantet e reja të koronavirusit po dalin të jenë më problematikë edhe për personat që janë vaksinuar plotësisht, Fauci shtoi se një dozë e vetme e vaksinës, mund të ofrojë më pak mbrojtje ndaj varianteve të reja të sëmundjes COVID-19.

“Ju jeni në një situatë të dobët nëse nuk keni efekt të plotë të vaksinës”, shtoi Fauci.

Pse po shmanget doza e dytë?

Nuk është e pazakontë që njerëzit të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, thonë ekspertët shëndetësorë. Ata kanë dhënë disa shembuj nga vaksinimet në të kaluarën – shkalla e shmangies së dozës së dytë për infeksionin herpes zoster, ishte rreth 26 për qind në mesin e përdoruesve të Medicare (sigurimi shëndetësor në SHBA), thuhet në një analizë të kryer nga Fondacioni Kaiser Family, shkruan CNN.

“Unë shqetësohem për çdo person që nuk vjen ta marrë dozën e dytë, dhe realisht unë kam menduar se do të ketë më shumë njerëz që do ta shmangnin marrjen e dozës së dytë”, tha për CCN, doktoresha Leana Wen.

“Bazuar në atë që dimë për vaksinat, shmangia e dozës së dytë mund të bëhet për shumë arsye”, shtoi ajo.

Një nga arsyet që mund të çojë që një numër relativisht i madh i njerëzve në SHBA të mos e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jetë e natyrës administrative, pasi autoritetet ende nuk i kanë përpunuar të dhënat për vaksinimet dhe nuk kanë krijuar një sistem të unifikuar për këtë çështje.

CDC-ja shprehet se numri i njerëzve që nuk e morën dozën e dytë është rreth pesë milionë (nga numri i përgjithshëm i vaksinave të administruara në SHBA deri më 5 maj, që është 249 milionë doza). Sidoqoftë, tani për tani, shifra e saktë e kësaj nuk mund të dihet sepse mund të ndodhë që një person të marrë dy dozat e vaksinës në vende të ndryshme – shembull, dozën e parë ta marrë në një klinikë shtetërore e dozën e dytë në një klinikë lokale – dhe të dhënat për marrjen e të dy dozave mund të mos regjistrohen në një bazë të të dhënave, tha një zëdhënëse e CDC-së.

SHIKONI EDHE: Çfarë mund të bëni pas vaksinimit kundër koronavirusit?

Ka arsye të ndryshme se pse njerëzit anashkalojnë marrjen e dozës së dytë të vaksinës. Në një sondazh të New York Time, disa thanë se kanë frikë nga efektet anësore të vaksinës, ku mund të shkaktohen simptoma të ngjashme me gripin. Të tjerët thanë se pas marrjes së dozës së parë, ndjehen mjaftueshëm të mbrojtur kundër koronavirusit.

Po ashtu është shfaqur një pengesë e cila nuk varet direkt nga njerëzit, të cilët duhet të vaksinohen, thotë New York Times. Një numër i qendrave të vaksinimit kanë anuluar terminin e dytë për vaksinimit, për shkak të mungesës së vaksinave. Për këtë arsye, disa njerëz thjesht kanë hequr dorë nga vaksinimi.

Rezultatet e një studimi të pavarur, që u botua në New England Journal of Medicine, tregojnë se shumica e njerëzve që nuk e marrin dozën e dytë të vaksinës, mund të jenë keqinformuar për efektivitetin e vaksinimit të plotë. Më pak se gjysma e të anketuarve nga studiuesit e Universitetit Cornell dhe Fakultetit të Mjekësisë së Harvardit, thanë se ata besonin se vaksinat me dy doza sigurojnë mbrojtje kundër koronavirusit dy javë pas marrjes së dozës së parë, pavarësisht se në udhëzimet e CDC-së thuhet se vaksinat kanë përfitim të menjëhershëm.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit masiv, ekspertët e shëndetit publik në SHBA, por edhe në gjithë botën, kanë ngritur shqetësime se do të jetë e vështirë që njerëzit të kthehen në qendra të vaksinimit për të marrë dozën e dytë, tre ose katër javë pas marrjes së dozës së parë.

Gjithashtu, nuk është për t’u habitur që derisa vaksinimi kundër koronavirusit po rritet gjithnjë e më tepër, po ashtu numri i atyre që po e shmangin dozën e dytë është duke u rritur.

SHIKONI EDHE: A mund ta transmetojnë virusin personat e vaksinuar?

Pse duhen dy doza?

Ka një numër arsyesh pse doza e dytë e vaksinës kundër COVID-19 është e rëndësishme. Ekzistojnë dy arsye kryesore: e para, është e rëndësishme që ta mbroni veten nga infektimi me virus, por gjithashtu është e rëndësishme që ta parandaloni përhapjen e virusit.

Studimet e kryera gjatë provave klinike për secilën vaksinë që administrohet përmes dy dozave, kanë treguar se pas një periudhe kohore, imuniteti ndaj COVID-19 pas marrjes së dozës së parë zbut kurbën e infeksionit, por doza e dytë ndihmon që mbrojtja nga COVID-19 të jetë në një nivel të lartë.

Edhe nëse një person, për arsye të ndryshme, nuk merr me kohë dozën e dytë, është e rëndësishme që ta merr atë.

“Antitrupat mund të rriten për dhjetë herë pas dozës së dytë”, shpjegon Nicholas Kman, nga Universiteti i Ohajos.

“Doza e dytë është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit që kanë sistem të kompromentuar imunitar, e të cilët konsiderohen se janë në rrezik të lartë për zhvillimin e simptomave të rënda dhe komplikimeve”, shton Kman, raporton portali GH.

Your browser doesn’t support HTML5

Pilulat anti-COVID mund të jenë gati deri në fund të vitit

Sipas studimeve të CDC-së, të dhënat tregojnë se efektiviteti i një doze të vetme të vaksinës së kompanisë Pfizer është 60 deri në 70 për qind, thuhet në një publikim në ueb-faqen e Cleavland Clinic. Një studim i ri i CDC-së tha se marrja e një doze të vaksinës së Pfizerit ofron 80 për qind efikasitet, por nëse merren të dy dozat e vaksinës, atëherë efikasiteti arrin deri në 90 për qind.

Kompania Pfizer ka konfirmuar se vaksina ofron 91 për qind efikasitet pas marrjes së dy dozave dhe ofron nivel të lartë të parandalimit të simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.

Shifrat flasin vet, mbrojtja më e madhe ndaj COVID-19 krijohet pas marrjes së dy dozave të vaksinës.