Tym dhe arrestime në protestën kundër kryetares së Speciales

Forcat e Policisë së Kosovës në mesin e tymit gjatë protestës së Partisë Socialdemokrate kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, të mërkurën në Prishtinë, 29 nëntor 2023.

Gjashtë anëtarë të Partisë Socialdemokrate (PSD) - e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës - u arrestuan të mërkurën pasi protestuan kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë hotelit në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.

Sipas PSD-së, në mesin e të arrestuarve nga Policia e Kosovës gjatë protestës, është edhe kryetari i saj, Dardan Molliqaj. Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk është prononcuar lidhur me këtë.

"Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale", shkroi PSD-ja në Facebook.

Të mërkurën më vonë, PSD-ja njoftoi se anëtarëve të saj të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria.

"Për ne ky vendim është politik dhe i padrejtë. Kështu po provohet ta ndalin zërin opozitar, ta relativizojnë padrejtësinë e Gjykatës Speciale", njoftoi PSD-ja.

Protesta përshkallëzoi kur protestuesit hodhën bomba tymuese brenda dhe jashtë hotelit, duke nxitur policinë të përgjigjet me përdorimin e gazit lotsjellës dhe sprej piperi për t'i shpërndarë protestuesit.

Vizita e Trendafilovas nxit protestë në Prishtinë


Duke folur para përshkallëzimit të protestës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se u mblodhën përballë hotelit për ta kundërshtuar vizitën e Trendafilovës në Kosovë.

“Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë dhe marrëveshjeve të këqija me Serbinë, ka pasur përndjekje të UÇK-së. Gjykata e ka në mandat ta ndjekë vetëm UÇK-në, është më e keqe se njëetnike. Ne duhet dhe do ta pengojmë këtë takim. Takimi ka filluar ndërsa ne e vazhdojmë protestën”, tha Molliqaj.

Çka tha Trendafilova gjatë takimit në Prishtinë?

Në takimin me shoqërinë civile dhe mediat, kryetarja e Speciales tha se nuk ka ardhur për diskutime politike.

“Do të doja të vinin [protestuesit] këtu për t’i shprehur pakënaqësitë... Nuk kam ardhur për diskutime politike”, tha ajo.

Ajo foli për proceset gjyqësore të cilat po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, derisa theksoi se gjyqtarët nuk kanë qenë ndonjëherë subjekt i ndonjë ndikimi politik.

“Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, tha ajo.

Trendafilova tha se gjyqtarët “nuk do të bëjnë kompromise asnjëherë” për zbatimin e drejtë të ligjit dhe të së vërtetës. “Në një të ardhme do të takohemi dhe nuk do të turpërohem të përballem me ju”.

Derisa foli për seancat private të cilat i karakterizojnë këto procese gjyqësore, Trendafilova tha se vendimet për t’i mbyllur ato për publikun merren gjithmonë duke pasur parasysh kërkesat e të gjitha palëve.

Duke theksuar që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të ndara, Trendafilova tha se nuk e di nëse do të ketë bastisje të tjera në Kosovë, pas atyre që u zhvilluan në muajt e fundit.


Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK-ja është përpjekja për liri”, dhe “Trendafilova out”, si dhe brohoritën “Poshtë Gjykata Speciale”.

Partia Socialdemokrate ka protestuar kundër Trendafilovës edhe në të kaluarën.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

“Druajtja nga frikësimi i dëshmitarëve ka qenë një prej arsyeve përse kjo gjykatë e Kosovës është vendosur në Hagë dhe jo në Prishtinë”, kishte thënë Qeveria e Holandës në një deklaratë të lëshuar në vitin 2016.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe atë ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deri më tani, Gjykata Speciale i ka dënuar dy pjesëtarë të OVL së UÇK-së, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin në maj të vitit 2022 për pengim të administrimit të drejtësisë.

Dënimi fillestar për secilin ka qenë 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa pas ankesës në Apel, koha u është zvogëluar në 4 vjet e tre muaj burgim.

Shumë në Kosovë e shikojnë Gjykatën Speciale si të padrejtë, sepse, siç thonë, do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik, në këtë rast shqiptarët, ndërsa krimet e supozuara të serbëve do të mbeten të pandëshkuara.

*Video nga arkivi: Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?

Your browser doesn’t support HTML5

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?