Protestohet për shembjen e Teatrit Kombëtar

Foto nga protesta e sotme në Tiranë.

Disa qindra qytetarë të Shqipërisë kanë protestuar pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë, për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar. Në këtë lokacion, dy ditë më parë ishte ndërtesa e Teatrit.

Partitë opozitare përkrahën protestën dhe së bashku me qytetarët kërkuan largimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Opozita tha se qeveria ka penguar ardhjen e qytetarëve e protestuesve të tjerë në kryeqytet.

Protesta, përveç disa përplasjeve dhe shtyrjeve në raste të izoluara, kaloi e qetë.

Protesta e sotme në Tiranë, pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar në Shqipëri është shembur të dielën rreth orës 4:30 të mëngjesit, duke ngjallur reagime të ashpra nga qytetarët e artistët që ishin kundër shembjes së saj.

Edhe prezenca ndërkombëtare në Shqipëri ka reaguar duke thënë se kjo çështje është dashur të zgjidhet me dialog dhe se e shohin këtë si një mundësi të humbur.

Komisioni Evropian ka shprehur keqardhjen që autoritetet shqiptare nuk ndoqën rekomandimin për dialog, duke vijuar me planet e shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Teatri u shemb në kohën kur ne kishim kërkuar dialog mes autoriteteve dhe shoqërisë civile, para se të ndërmerrej një vendim i pakthyeshëm. Shprehim keqardhje që rekomandimi ynë nuk u ndoq”, tha zëdhënësja Ana Pisonero Hernandez.

Your browser doesn’t support HTML5

Protesta pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë

Ajo shtoi se Komisioni Evropian ndoqi me shqetësim të thellë zhvillimet në terren, veçanërisht pasi konstatoi përdorimin e forcës.

“Vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar në Facebook planin për projektin e ri të ndërtimit të teatrit.

Ai shkroi se i siguron qytetarët se “Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që e kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje”.

Debati për shembjen apo mosshembjen e Teatrit Kombëtar, ka vazhduar për dy vjetët e fundit.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë thënë se teatri i ri është pjesë e planeve për zhvillimin e qytetit. Ata kishin miratuar një ligj special në parlament, që një firmë private ta ndërtonte objektin e ri. Por, pas protestave dhe reagimeve të shumta, ky plan ishte pezulluar.

Disa ditë më parë, përmes një vendimi të qeverisë, Teatri Kombëtar kaloi si pronë e Bashkisë së Tiranës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkonte restaurimin e ndërtesës 80-vjeçare, pa e shembur atë. Tani, pas shembjes, ata kërkojnë ndërtimin e një teatri të ri me arkitekturën identike të atij të vjetrit.