Protestë kundër dënimit me vdekje për akademikun iranian

Ahmadreza Jalali

Suedia dhe grupi Amnesty International, kanë protestuar kundër dënimit me vdekje ndaj intelektualit suedezo-iranian, i cili në prill të vitit 2016 ishte burgosur në Iran, i akuzuar për spiunim.

Shkencëtari i Institutit Karolinska në Stokholm, Ahmadreza Jalali, gjatë pjesëmarrjes në një konferencë në Teheran, ishte arrestuar për spiunim dhe “armiqësi me Zotin”, krim që në Iran mund të ndëshkohet me dënim me vdekje.

Jalali ka shtetësi iraniane, por është banor i përhershëm në Suedi. Sipas revistës, Nature, ai punon në përmirësimin e përgjigjeve emergjente në sapitale ndaj terrorizmit të armatosur dhe kërcënimeve radiologjike, kimike dhe biologjike.

Prokurori iranian në Teheran, Abbas Jafari Dolotabadi, i tha një agjencie të lajmeve të sistemit të drejtësisë në Iran, se “personi kishte disa takime me agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, dhe u ka dhënë atyre informacione të ndjeshme për ushtrinë iraniane dhe vendet ushtarake, në këmbim për para dhe qëndrim të përhershëm në Suedi”.

Suedia e ka dënuar këtë vendim dhe tha se e ka shtruar këtë çështje me përfaqësuesit e Iranit në Teheran dhe Stokholm.

Ne e dënojmë shfrytëzimin e dënimit me vdekje në të gjitha format”, tha ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, në një koment dërguar agjencisë Reuters me email. Ajo, po ashtu, ka shkruar se “dënimi me vdekje është johuman, mizor dhe ndëshkim i pakthyeshëm, që nuk ka vend në të drejtën moderne”.

Organizata, Amnesty International, në deklaratën e vet, tha se “autoritetet e Iranit duhet në mënyrë urgjente ta anulojnë dënimin me vdekje kundër banorit suedez, të lindur në Iran, që është specialist në mjekësinë emergjente, Ahmadreza Jalali.

Zeynab Taheri, njëri prej mbrojtësve të Jalalit, i tha grupit, Amnesty International, se klienti i tij ishte dënuar me vdekje për akuza të “korrupsionit në tokë” dhe ishte dënuar me 235 mijë dollarë amerikanë.

Amnesty International tha se në vendimin gjyqësor, i cili i ishte treguar njërit prej avokatëve të Jalalit, shkruan se Jalali kishte punuar me Qeverinë izraelite, e cila i kishte ndihmuar atij për të marrë lejeqëndrim në Suedi.

Ahmadreza Jalali ishte dënuar me vdekje, pas një procesi tejet jokorrekt, që edhe një herë e zbulon jo vetëm përkushtimin e fortë të autoriteteve të Iranit për përdorim të dënimit me vdekje, por edhe mospërfilljen totale për sundim të ligjit”, tha Philip Luther, përfaqësues i organizatës, Amnesty International.

Më tutje, ai ka theksuar se “në kohën kur autoritetet e Iranit janë aktivisht duke i forcuar lidhjet me vendet në Bashkimin Evropian, është absurde se ato autoritete po i shfrytëzojnë lidhjet akademike të Ahmadreza Jalalit në shtetin evropian, si pjesë të provave kundër tij”.

Ministria e Jashtme e Suedisë në një deklaratë dërguar Radios Evropa e Lirë me email, thotë se ka marrë “raporte të besueshme” që indikojnë se Jalali ishte dënuar me vdekje.

Ne po përpiqemi të marrin konfirmim përfundimtar për këtë informacion”, thotë kjo ministri dhe shton se “ne e kemi shtruar këtë çështje urgjentisht me përfaqësuesit iranianë”.

Amnesty International e ka përsëritur kundërshtimin ndaj dënimit me vdekje “pa përjashtim” dhe në “çfarëdo forme”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi