Kriza godet shëndetësinë, mjekët në protesta

Protesta e mjekëve në Maqedoninë e Veriut, 7 prill 2022.

Rritja e çmimeve ka goditur edhe sektorin e shëndetësisë dhe kjo ka detyruar mjekët e ambulancave private që të enjten, në Ditën Botërore të Shëndetit, të dalin në protesta para Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar rritjen e kuotës financiare për pacientë, por edhe kërkesa të tjera për të cilat kërkojnë zgjidhje tani një kohë të gjatë.

Fondi për Shëndetësi për çdo pacient të regjistruar në ambulancat private u paguan mjekëve nga 65 denarë apo 1 euro, por mjekët kërkojnë që kuota të rritet në 95 denarë apo 1.5 euro për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve shëndetësore, por edhe shpenzimeve tjera.

Bekim Ismaili, kryetari i Shoqatës së Mjekëve Amë në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se mjekët privatë përballen edhe me probleme tjera, ndër to edhe me udhëzime specialistike për pacientët me sëmundje kronike.

SHIKONI EDHE: Mjekët amë kërkojnë rritjen e mjeteve që marrin nga shteti     

“Ne kemi problem me udhëzimet e pacientëve, të cilët i dërgojmë për përshkrimin e terapisë kronike. Pra, detyrohemi që çdo vit e ndoshta edhe më shpesh t’i dërgojmë pacientët te specialisti që t’ua shkruajnë atyre terapinë, pasi këtë na e kërkojnë organet kompetente. Ne jemi për atë që pacienti të bëjë kontrolle specialistike kur ka nevojë, por kemi shumë pacientë në moshë të shtyrë, me sëmundje të rënda kronike dhe që nuk mund të shkojnë të bëjnë kontrolle për të marrë terapinë. Prandaj ne mund t’ua shkruajmë atyre këtë terapi, nga e cila janë të varur gjithë jetën” thotë Ismaili.

Veç kësaj, mjekët amë kanë edhe problemin e funksionimit të ambulancave të tyre, në rast të pensionimit. Mjekët kërkojnë që ajo të vazhdojë punën pavarësisht nëse pronari i saj apo themeluesi pensionohet.

“Tani nëse një mjek del në pension, por që ka të punësuar mjekë të rinj dhe së paku tri infermiere dhe në momentin që mjeku, i cili është bartës i ambulancës, shkon në pension, ajo shuhet plotësisht, pra i gjithë ky ekip mjekësor mbetet në rrugë”, sqaron Ismaili.

SHIKONI EDHE: Spitalet në Maqedoni, me mungesë kuadri të specializuar

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, e konsideron legjitime protestën e mjekëve, por ajo, sipas tij, nuk është kohën e duhur:

“Përfaqësuesit e të gjitha shoqatave e dinë se jemi duke punuar për një model të ri të financimit të kujdesit parësor shëndetësor. Unë mendoj se sot duhet të festojnë Ditën e Shëndetit, jo të protestojnë. Ata do të jenë të ftuarit e mi sot”.

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, iu shmang përgjigjes lidhur me kërkesat e mjekëve dhe gjendjes në shëndetësi.

Shëndetësia në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivelin e duhur, thotë Aleksandar Stojanov, epidemiolog dhe ish-drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik.

“Shëndetësia maqedonase shumë rëndë po përballet me sfidat. Nuk është në nivelin, të cilin do të donim ta kishim. Ne edhe para pandemisë ishim në krye të shteteve sa i përket sëmundjeve kardiovaskulare, kancerogjene e kështu me radhë. Këtu ka shumë faktorë dhe jo vetëm ajo se njerëzit kujdesen pak për shëndetin e tyre".

"Nuk mund që me vite të reduktohen programet në shëndetësi dhe të themi se kemi një politikë të mirë shëndetësore, për ta bërë popullatën më të shëndetshme. Ende këtu funksionojnë lidhjet që njerëzit të mund të marrin një shërbim të mirë shëndetësor... Ne duam të krahasohemi me Evropën, por me asgjë nuk e kemi merituar të krahasohemi, as për nga standardi, as nga arsimi i përgjithshëm dhe me asgjë tjetër”, thotë Stojanov.

SHIKONI EDHE: Qytetarët në Maqedoninë e V. fillojnë të vetëdijesohen për rëndësinë e imunitetit

Shoqata për emancipim, solidaritetit dhe barazi “ESE”, e cila merret me hulumtime në fushën e shëndetësisë, shprehet e shqetësuar për faktin se në Maqedoninë e Veriut, sipas saj, vitin e kaluar vdekshmëria në përgjithësi ishte 38 për qind më e lartë se sa pritej. Për këtë shoqatë, edhe pse ishte vit pandemik, ky është tregues i mjaftueshëm për gjendjen joadekuate shëndetësore të qytetarëve.

“Fatkeqësisht, nga puna jonë e deritashme kemi parë se kujdesi shëndetësor parandalues nuk është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, sepse për më shumë se një dekadë buxheti për kujdesin shëndetësor parandalues është vetëm 9 për qind nga i gjithë buxheti i Ministrisë. Me gjithë buxhetin e ulët, Ministria çdo vit shkurton rreth 10 për qind të këtij buxheti”, thuhet në hulumtimin e kësaj shoqate.