Protesta artistike kundër luftës në Ukrainë
Një mural, i titulluar “Fëmija i luftës”, në Los Anxhelos të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga artisti rrugor, i njohur me pseudonimin Hijack. Nëpërmjet një deklarate, ai ka thënë se “kur të rriturit bëjnë luftë, fëmijët pësojnë. Lufta më e fundit në Evropë ka shkaktuar një krizë refugjatësh, e cila mund t’i detyrojë deri në 10 milionë ukrainas të ikin nga bombat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit”.
Në një mur, në Romë, Itali, dy gra të pikturuara me ngjyrat kombëtare të Ukrainës dhe të Rusisë, shihen duke qarë dhe duke u përqafuar, teksa fjala “mir” (paqe) i bashkon të dyja. Murali është realizuar nga Laika, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars.
Artistët Juliano Trindade dhe Corie Mattie nga Valence Projects duke qëndruar para muralit që kanë realizuar së bashku, të titulluar “Ukrainës, me dashuri”, në Los Anxhelos, SHBA, më 8 maj. Mattie ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ishte e rëndësishme të shfaqej një shenjë shprese, me pëllumbat që ia merrnin fuqinë Putinit. “Unë mendoj se të gjitha format e artit mund të bëjnë dallimin”, është shprehur ajo. “I shtyn shikuesit të mendojnë për situatat aktuale, t’i ndryshojnë pikëpamjet, e madje edhe të veprojnë”. Ky mural ka një kod QR, i cili të çon te banka kombëtare e Ukrainës, e cila ka themeluar një fond për të mbledhur para për trupat ukrainase. “Është e rëndësishme që njerëzve t’ju ofrohet qasje në aktivizëm”, ka thënë Mattie. “Arti i mirë të bën të mendosh, por arti i mrekullueshëm të bën të veprosh”.
Disa nxënës të vegjël në Barcelonë, Spanjë, duke ecur para një murali nga artisti TVBOY, më 9 maj. Simboli i paqes në këtë vepër ishte krijuar për lëvizjen britanike për çarmatim bërthamor, më 1958.
Kjo fotografi në qytetin rus Borovsk, më 14 prill, shfaq gra ukrainase dhe ruse duke ia mbajtur dorën njëra-tjetrës, me fjalën “nostalgjia” të shkruar mbi to. Murali është realizuar nga 84-vjeçari Vladimir Ovchinnikov, i cili prej shumë dekadash pikturon murale në ndërtesa në këtë qytezë të vogël në jug të Moskës, dhe përreth saj.
Në kryeqytetin bullgar, Sofje, një imazh i presidentit rus, Vladimir Putin, duke bartur trupin e tij të vdekur, i realizuar nga Stanislav Belovski.
Ky mural, i krijuar nga grupi LBWS, në qytetin-port ukrainas Odesa, është paraqitur me elemente fëmijërore, teksa portretizon seriozitetin e luftës.
Disa njerëz duke ecur para një murali të realizuar nga një artist i panjohur, që paraqet Putinin duke ia këputur kokën një pëllumbi, në Lion, Francë, më 22 mars.
Një mural, i titulluar “Më vish për betejë”, nga artisti rrugor Bandit, në Los Anxhelos, SHBA, më 21 mars. Bandit, i cili zakonisht përqendrohet mbi çështjet e fiseve indigjene amerikane, ka treguar se si kjo vepër është frymëzuar nga piktura e realizuar nga Emanuel Leutze, që shfaq George Washingtonin duke kaluar lumin Delauer, me Ushtrinë Kontinentale, më 1776. Siç thotë ai në llogarinë e tij, në Instagram: “Më pëlqen ky version i ri më shumë. Ne qëndrojmë krah Ukrainës”.
Një grua duke ecur para një murali në Pragë, Republika Çeke, që shfaq një fëmijë duke u mbrojtur me një flamur ukrainas, kundër pushtimit rus. Artisti i lindur në Kazakistan, Dmitry Proskin, pseudonimi i të cilit është ChemiS, ka thënë për REL-in se “gjëja kryesore është se ai po shikohet nga populli ukrainas”. Ai ka shtuar se “ata po më dërgojnë mesazhe falënderimi, prandaj qëllimi im kryesor, shfaqja e mbështetjes sonë për ukrainasit, është arritur”.
Putini, i paraqitur si Lordi Voldemort, në një mural të bërë nga artisti rrugor Kawuart, në Poznan, Poloni, në shkurt. Voldemorti është antagonisti nga librat e serisë Harry Potter, të J. K. Rowlingut.
SOS-i i artistit Harry Greb, i realizuar së fundi në Romë, Itali. Greb ka thënë për REL-in se të gjithëve duhet t’iu dëgjohet zëri, dhe se armët nuk duhet të përdoren kurrë për t’i zgjidhur problemet. “Unë nuk e di nëse arti im mund ta bëjë dallimin, sigurisht se jo i vetëm”, është shprehur ai. “Por, së bashku, mbase mundemi”.
Një grua në Rumani duke ecur para një pllakati që shfaq Putinin skelet, afër Ambasadës së Rusisë, në Bukuresht, më 29 prill. Operacioni i Posaçëm Artistik është emri i një ekspozite të artit rrugor, ku janë shfaqur veprat e artistëve ukrainas dhe rumunë.
Artisti rrugor, Todd Goodman, i njohur si 1GoodHombre, duke qëndruar para një portreti të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin ai e ka paraqitur duke mbajtur armë zjarri, më 21 mars, në Santa Monika të Kalifornisë, në SHBA. Goodman ka dalë publikisht, duke rrezikuar të arrestohet dhe të gjobitet për veprën e palejuar, për të grumbulluar fonde për refugjatët ukrainas të luftës. Goodman ka thënë për REL-in se veprat e tij janë qëndrime të rezistencës paqësore ndaj agresionit të pakontrolluar të Putinit dhe të dhunës në Ukrainë. “Unë nuk e di nëse veprat e mia mund të ndryshojnë diçka fizikisht, përveç se mbase të ndryshojnë ndjenjat e njerëzve, nga ndjenja e pashpresës dhe frikës, në ndjenjën e shpresës dhe trimërisë përballë të keqes”.