Dhjetëra mijëra qytetarë të Shqipërisë janë mbledhur të hënën në mbrëmje para ndërtesës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Qeverisë në krye me kryeministrin Edi Rama.
Të thirrur nga opozita e bashkuar, me parrullën “Rama ik”, protestuesit marshuan nga ndërtesa e Kryeministrisë deri te Kuvendi i Shqipërisë, ku edhe larguan gardhin metalik i cili rrethonte institucionin.
Rreth 1300 forca të Policisë së Shtetit u angazhuan për mbarëvatjen e këtij tubimi dhe pas afër dy orë, protestuesit u shpërndanë të qetë.
Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, tha se protestat kombëtare të organizuara nga opozita janë protestat e 85% të qytetarëve që nuk kanë votuar më 30 qershor në zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe i quajti ato “referendum”.
“85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e tij (Edi Ramës), refuzuan krimin dhe korrupsionin, refuzuan varfërinë dhe mungesën e shpresës. Edi Rama kërcënoi, dhunoi, bleu, joshi dhe prapë nuk ja doli të thyente vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. Tridhjetë qershori dhe shumë ditë të tjera në këtë shesh dhe anë e mbanë Shqipërisë kanë qenë triumfi i të vërtetës mbi propagandën”, tha Basha në mesin e protestuesve.
Kjo protestë ishte e dhjeta kombtare e organizuar nga opozita në Shqipëri dhe e para pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend.
Këto votime u mbajtën në kushte jo të zakonshme më 30 qershor, me ndasi të thellë mes të gjithë akterëve politikë të Shqipërisë, duke e vendosur në pikëpyetje vlefshmërinë e tyre.
Në 31 nga 61 bashkitë, Partia Socialiste ka qenë pa asnjë kundër-kandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë ishte 21.6%.
SHIKONI EDHE: Phillips: Zgjedhjet në Shqipëri duhet të përsëritenOpozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e tyre dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që “të mos marrin pjesë në një proces farsë”. Krerët opozitarë kanë thënë se këto nuk janë zgjedhje, por vetëm votim për një parti dhe kanë thënë se “këto zgjedhje janë mono-partiake”.
Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e quajti “revolucion imagjinar” iniciativën e opozitës. Ai tha se 30 qershori ishte “moment historik” dhe se vazhdon të jetë i gatshëm për dialog pa kushte me opozitën, por insistoi se nuk do të japë dorëheqje dhe se reforma në drejtësi në asnjë rresthanë nuk do të diskutohet.
Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit përmes çdekretimit të dekretit të mëparshëm për këtë ditë, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend. Ai bëri të ditur se ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre.
Megjithatë, Partia Socialiste ka shpërfillur vendimin e presidentit Meta dhe e ka quajtur atë jokushtetues, dhe të hënën me 101 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenime Kuvendi i Shqipërisë me iniciatvë të kësaj partie ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij.
Presidenti, pas këtij votimi në Kuvend, përmes një postimi në Facebook, duke i bërë thirrje protestuesve për qetësi, e ka quajtur përsëri procesin e votimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit “proces fals” dhe ka përshëndetur, siç tha ai, mbi 85% të qytetarëve që bojkotuan atë.
“Ndërsa drejtuesit e Opozitës së Bashkuar ju kanë ftuar sot në një protestë kombëtare kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, dua të përshëndes mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces ‘fake’, më të shëmtuarin që mund të ndodhte në kontinentin tonë të civilizuar, pas 3 dekadash që kur vendi ynë u nda nga regjimi më shtypës i të drejtave të njeriut që njohu e gjithë Europa ish-komuniste”, shkroi Meta.
Shqipëria, përveç krizës politike mes partive dhe institucioneve, është zhytur edhe në një krizë konstitucionale me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në vend mbeti jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut (verifikim apo kontroll i detajuar për zyrtarët publikë) dhe vetëm dy kanë mbetur.
Video nga arkivi: Si u zhyt Shqipëria në këtë krizë politike?
Your browser doesn’t support HTML5
Vlefshmëria kushtetuese e zgjedhjeve të 30 qershorit, por edhe vendimi i presidentit për të anuluar ato, do të mund të vërtetohet vetëm pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën të gjithë akterët e përfshirë po bëjnë thirrje që të krijohet sa më parë.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014, dhe javë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ata nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të fillojë ky proces.