Protestat e së mërkurës para institucioneve të Maqedonisë së Veriu kundër propozimit francez janë përcjellë me të shtëna armësh, pas së cilës ngjarje kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, i cili ka marrë pjesë në protestë, ka thënë se këto të shtëna kanë pasur për qëllim vrasjen e tij.
Çka përmban propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.
Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.
Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.
Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut gjatë natës së kaluar (të mërkurës) ka konfirmuar se ka arrestuar personin, për të cilin kryetari i opozitës ka thënë se ka tentuar ta vrasë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
SHIKONI EDHE: Kryetari i opozitës maqedonase pretendon se një protestues ka tentuar ta vrasëTë enjten ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, për mediat ka theksuar se policia të mërkurën ka parandaluar një incident të madh duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kryetarit të opozitës se policia me qëllim nuk ka reaguar me kohë.
“Policia e parandaloi incidentin, edhe atë një numër i madh i zyrtarëve policorë, shihni videot që janë publikuar edhe nga mediumet, edhe nga ne. Ja, po ua tregoj vetëm një fotografi - a nuk është kjo diçka ku intervenohet në vendin e ngjarjes?”, ka thënë Spasovski në një konferencë për media duke theksuar se nuk mund të japë më shumë detaje përderisa janë duke u zhvilluar hetimet.
Ky incident u krijua kur një grup protestuesish maqedonas u nda nga rrjedha e protestës dhe u drejtua kah Sheshi Skënderbeu, me ç'rast u përlesh me disa qytetarë shqiptarë, të cilët, siç thanë, po qëndronin para pronave të tyre duke u kujdesur që të mos vinte deri te ndonjë vandalizëm eventual i tyre.
Intervenimi i shpejtë i forcave të policisë bëri që të shmangej përballja e drejtpërdrejtë dhe përshkallëzimi në një konflikt ndëretnik.
Ndërkaq, partitë politike kanë akuzuar njëra-tjetrën për skenar të prishjes së raporteve ndëretnike.
Kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, ka theksuar se për një kohë të gjatë ka marrë informacione për eliminimin e tij, siç tha, me “urdhër të Qeverisë” me qëllim nxitjen e konflikteve ndëretnike.
“Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se do të ketë tensione ndëretnike nëse propozimi nuk kalon. Kovaçevski dhe Spasovski po ndërtojnë një kontekst militant, pati një njoftim për kokteje molotovi, për viktima dhe pasi dështuan, tashmë arritën në kulmin e monstruozitetit ku duhej humbur një jetë njeriu për të qëndruar në pushtet”, ka thënë Miskoski.
SHIKONI EDHE:
Pushteti e opozita akuzojnë njëra-tjetrën për dhunën në protestaProtestuesit në Shkup thyejnë xhamat e MPJ-së dhe sulmojnë policinëPor, kësaj akuze i janë përgjigjur dy partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik, se rasti me të shtënat gjatë protestave ishte skenar i VMRO DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët dhe partisë E Majta, me të cilët VMRO DPMNE është në koalicion në pushtetin vendor.
“Kush e shkakton incidentin? E shkakton VMRO DPMNE, E Majta dhe Aleanca për Shqiptarët. A mund të flasim për skenarë që kanë për synim destabilizimin e vendit, në momente kyçe kur e theksoj jemi në hapin e fundit drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, po edhe më tepër jemi në hapin për të rrumbullakuar projektet jetike për këtë vend? Asgjë nuk është e rëndësime. Vendit i duhen politikanë seriozë, subjekte politike që e kanë të qartë se ku duan ta çojnë vendin”, ka thënë Artan Grubi, zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe Darko Kaevski nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut ka thënë se incidenti është skenar i partive opozitare që janë në koalicion në pushtetin vendor.
“Është e turpshme, e tmerrshme dhe e rrezikshme sjellja e opozitës, e cila tenton të paraqesë tensione mbi bazë të përkatësisë ndëretnike e në realitet ato janë shkaktuar nga përfaqësuesit e opozitës”, ka thënë Kaevski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se gjatë protestave të së mërkurës gjithsej tre punonjës të policisë janë lënduar, ndërkaq janë arrestuar pesë persona nën dyshimet se kanë shkaktuar trazira.