Protestat në Poloni “zbusin” presidentin

Your browser doesn’t support HTML5

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se do t’i vërë veto legjislacionit të reformës gjyqësore, i cili ka shkaktuar protesta masive dhe paralajmërime nga Bashkimi Evropian.

“Ndryshimi duhet të vijë në atë mënyrë që të mos çojë në përçarje të shoqërisë dhe shtetit. Përçarjet ndodhin kur njerëzit nisin të ndjejnë padrejtësi brenda gjyqësisë, kur shteti bëhet shtypës dhe kur njerëzit frikësohen nga shteti i tyre”, tha Duda.

Duda tha se do të vendosë veto mbi Ligjin për Gjykatën Supreme dhe Ligjin për Këshillin Kombëtar të Gjyqësorit, që, sipas kundërshtarëve, shkatërrojnë ndarjen e pushtetit dhe i japin partisë qeverisëse shumë ndikim mbi gjykatat.

Pjesë e reformës është edhe ligji që i jep ministrit të Drejtësisë të drejtën për të zgjedhur dhe shkarkuar gjykatës në gjykata më të ulëta. Por, Duda nuk tha se do të përdorë veton edhe mbi këtë ligj.

Për të hyrë në fuqi, ligjet e miratuara tashmë nga parlamenti, kërkojnë miratimin e presidentit.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

“Polonia ka nevojë për reforma gjyqësore dhe nuk ka mbështetës më të fuqishëm të tyre sesa unë. Megjithatë, unë jam zgjedhur për të bërë reforma të duhura, të cilat mund të sigurojnë gjyqësor të mirë dhe të rrisin ndjenjën e drejtësisë. Si president, e ndjej se reforma në formën siç është prezantuar, nuk e shton ndjenjën e sigurisë dhe përgjegjësisë”, tha Duda.

Ligji për Gjykatën Supreme do t’i jepte ministrit të Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i përgjithshëm, kompetencë për të emëruar gjykatësit.

Përveç kësaj, Parlamenti do të zgjidhte edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit, roli i të cilit është të mbrojë pavarësinë e gjykatave.

Partia qeverisëse për Ligj dhe Drejtësi i ka hedhur poshtë pretendimet se reformat janë hap kah sundimi autoritar.

Duda është aleat i afërt me Partinë për Ligj dhe Drejtësi dhe ka mbështetur agjendën e saj prejse është bërë president në vitin 2015.

Por, Komisioni Evropian ka paralajmëruar se ai mund t’ia pezullojë Polonisë të drejtat për votim nëse i miraton reformat e tilla gjyqësore.

Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas, i ka thënë gazetës gjermane “Bild am Sonntag” se “pavarësia e gjyqësorit është në rrezik në Poloni”.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në gjithë Poloninë qysh më 19 korrik, për të kundërshtuar legjislacionin dhe për të nxitur presidentin Duda që të shfrytëzojë të drejtën e vetos.

Te dielën në Varshavë, protestuesit janë mbledhur përpara pallatit presidencial, duke valëvitur flamuj të Polonisë dhe të Bashkimit Evropian, si dhe pankarta me mbishkrimet: “Duam veto”, “Gjykata të lira”, “Liri, Barazi, Demokraci” e të tjera.

Përgatiti: Valona Tela