Qindra mijëra njerëz kanë vendosur të vazhdojnë grevat dhe protestat në Francë të enjten, pasi presidenti Emmanuel Macron u zotua të çojë përpara planin e tij për reformën e pensioneve, pavarësisht nga përshkallëzimi i zemërimit në të gjithë vendin.
Në ditën e nëntë, Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve.
Protestat kundër legjislacionit, i cili rrit moshën e daljes në pension me dy vjet, kanë tërhequr turma të mëdha në protesta të organizuara nga sindikatat që nga janari.
Sindikatat e punëtorëve thanë se dita e nëntë e veprimit mbarëkombëtar të së enjtes do të tërheqë turma të mëdha kundër atyre që ata i përshkruajnë si "përbuzje" dhe "gënjeshtra" të presidentit Macron.
SHIKONI EDHE: Pse francezët e refuzojnë ashpër vendimin e Macronit për pensione?Macron ngjalli zemërim te sindikatat dhe partitë opozitare të mërkurën kur hodhi poshtë thirrjet e tyre që ai të merrte parasysh kërkesat për të mos e çuar përpara këtë plan.
"Përgjigjja më e mirë që mund t'i japim presidentit është se ka miliona njerëz në grevë dhe në rrugë", tha Philippe Martinez, i cili drejton sindikatat.
Shumica e protestave kanë qenë paqësore, por zemërimi është rritur që kur qeveria e shtyu projektligjin në Parlament pa votim, javën e kaluar.
Në shtatë netët e fundit në Paris dhe qytete të tjera protestat u përshkallëzuan me prostesues që ua vunë zjarr kazanëve të mbeturinave dhe u përleshën me policinë.
SHIKONI EDHE: Macron synon që plani për pensione të nisë së zbatuari deri në fund të vititDuke folur të mërkurën, Macron tha se ligji i ri është i nevojshëm dhe do të hynte në fuqi më vonë këtë vit.
Ai ka thënë vazhdimisht se është i bindur që reforma është e domosdoshme në mënyrë që sistemi i pensioneve të mbetet funksional.
“Reforma nuk është luks, nuk është për argëtim, është domosdoshmëri për shtetin”, tha ai.
Macron i “dënoi” protestat e dhunshme dhe insistoi se “i respekton” sindikatat dhe protestat që janë organizuar nga kundërshtarët e tij, të cilët nuk pajtohen me planin për pensione.
Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të enjten dhe për greva në sektorët kyçë, derisa Qeveria ta tërheqë këtë projektligj.