Mijëra protestues të Shqipërisë, të thirrur nga opozita kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit të Tiranës, duke kërkuar largimin e Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit pasi ata tentuan të hynë brenda rrethimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe turma e atyre që po tentonin te futeshin në ambientet e Parlamentit është shpërndarë, por megjithatë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me gurë dhe sende tjera të forta në drejtim të policisë.
Në momentin kur protesta filloi të bëhet më e dhunshme, përmes megafonit, policia u tha organizatorëve të “distancohen nga këto veprime të dhunshme” dhe u dha ultimatum që të shpërndahen, në të kundërt policia do të përdorë dhunë.
Më pas, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmbylli protestën nga selia e partisë së tij dhe e quajti protestën e së shtunës “ditë historike”.
“E sotmja hyri në historinë tonë të paskomunizmit si dita e dytë e zgjimit kombëtar”, u shpreh Basha para protestuesve që brohorisnin “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Opozita ka thënë se këto protesta organizohen nga qytetarët, pakënaqësia e të cilëve është akumuluar për një kohë të gjatë.
Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi doli në një konferencë për shtyp nga selia e partisë së saj, ku foli për protestën e së shtunës, ku tha se “rruga jonë nuk ka kthim pas”.
“Ne do të qeverisim zemërimin e popullit ndaj Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale që kanë marrë peng vendin dhe të ardhmen evropiane”, u shpreh Kryemadhi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se “është duke ndjekur me shqetësim situatën”.
Ai ka bërë thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë dhe u kërkoi të gjithëve “të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ditë më herët, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme” dhe u ka bërë qytetarëve thirrje për vetëpërmbajtje.
Kjo është protesta e pestë e organizuar në më pak se dy muaj nga partitë opozitare në Shqipëri, të cilat kërkojnë largimin e Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ata po ashtu kërkojnë krijimin e një qeverie kalimtare që do të krijonte ambient të përshtatshëm për zgjedhje të reja.
Kalimi i opozitës në revoltë dhe mosbindje civile ndaj Qeverisë, shkoi deri në djegien dhe dorëzimin e mandateve të tyre në Kuvend, duke lënë vendin pa opozitë përfaqësuese në institucionin më të lartë.
Ky veprim është kritikuar nga misionet diplomatike me seli në Shqipëri, të cilët kanë thënë se një veprim i tillë dëmton konsolidimin e demokracisë së vendit.
Qeveria e Shqipërisë po ashtu ka thënë se këto protesta do të dëmtojnë hapjen e bisedimeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto bisedime pritet të fillojnë në muajin qershor të këtij viti.