Mbi 40 policë të lënduar dhe dhjetëra protestues të ndaluar në protestën në Shkup

Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, një ditë pas protestës së dhunshme. 6 korrik 2022.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se gjatë protestës më 5 korrik janë lënduar 47 policë, 11 prej të cilëve me lëndime të rënda dhe dy me lëndime serioze.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se 11 persona janë ndaluar gjatë protestave dhe se policia nuk ka përdorur as mjete piroteknike e as kimike për të shpërndarë turmën.

Protestuesit po kundërshtojnë një propozim francez i cili synohen të ndihmojë në tejkalimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, që kanë të bëjnë me gjuhën dhe historinë.

Protesta e 5 korrikut u përshkrua me dhunë, teksa protestuesit thyen xhamat dhe hodhën ngjyrë të kuqe në ndërtesën e Qeverisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

SHIKONI EDHE: Protestuesit në Shkup thyejnë xhamat e MPJ-së dhe sulmojnë policinë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dënuar sjelljen e dhunshme të protestuesve duke thënë se çdo qytetarë ka të drejtë të protestojë, por dhuna nuk mund të justifikohet.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj policisë, e cila dje ishte në krye të detyrës duke mbrojtur me profesionalizëm qytetarët dhe institucionet e shtetit. Dhuna dhe urrejtja nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Nxitësve të protestave u them: mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për të kënaqur orekset tuaja politike”, ka shkruar Kovaçevski në një postim në Facebook.

Protesta e 5 korrikut ishte e katërta me radhë. Protestuesit po kërkojnë që autoritetet të refuzojnë propozimin francez, që ka për qëllim të zhbllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.