Opozita në Shqipëri ka mbajtur një protestë në Tiranë, në kundërshtim të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.
Me thirrjet “Rama ik”, dhjetëra mijëra protestues fillimisht u mblodhën para Kryeministrisë, ku në sfond lëshuan regjistrimet e përgjimeve telefonike, ku dyshohet se krerët e Partisë Socialiste janë të përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor.
Protestuesit, që ishin mbledhur në tubimin para Kryeministrisë që zgjati afër 2 orë, vazhduan protestën tyre duke marshuar deri te ndërtesa e Parlamentit, ku edhe tërhoqën rrethimin e hekurt të vendosur përreth institucionit.
Protesta e opozitës është përmbyllur e qetë te selia e Partisë Demokratike.
Liderët opozitarë, Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike [PD] dhe Monika Kryemadhi, kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim [LSI] po insistojnë që kryeministri Rama dhe Qeveria që ai drejton, të dorëhiqen, për t'i dhënë rast formimit të një qeverie transitore deri në krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë fjalimit të tij para protestuesve, ka thënë se kryeministri Edi Rama “ka sakrifikuar të ardhmen e qytetarëve të Shqipërisë dhe e ka kthyer vendin në një pronë private të krimit të organizuar”.
“Kjo betejë nuk do të ndalohet me largimin e Edi Ramës, por vetëm kur të vendosim kushtet për Shqipërinë si gjithë Evropa”, është shprehur Basha, duke ritheksuar se opozita nuk shkon në zgjedhje dhe se nuk do të bëjnë marrëveshje me Qeverinë.
Bashkë me këtë kërkesë, opozita po kundërshton dhe është zotuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat janë anuluar edhe nga presidenti Ilir Meta, por i njëjti vendim nuk po përfillet nga Partia Socialiste, lider i së cilës është kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë mundësinë e ofrimit të dorëheqjes dhe njëkohësisht ka thënë se nuk do të bëjë kompromis me Kushtetutën dhe Ligjin, duke u treguar i vendosur që vendi t'i mbajë zgjedhjet e 30 qershorit, pavarësisht një vendimi të presidentit Ilir Meta, për anulimin e kësaj date.
Presidenti Ilir Meta ka ftuar forcat politike në Shqipëri në dialog për tejkalimin e situatës së rënduar që po kalon vendi.
“Nuk është kurrsesi momenti për prova force, për retorikë përçarëse dhe provokuese, por për maturi dhe përgjegjshmëri të lartë për interesat kombëtare të vendit dhe vazhdimësinë e integrimit evropian që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Meta.
Kërkesat dhe protestat e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, janë intensifikuar edhe pas publikimit të përgjimeve telefonike nga gazeta gjermane “BILD” lidhur me zgjedhjet vendore në Dibër tre vjet më parë, ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të Qeverisë Rama që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve.
SHIKONI EDHE: Meta: Nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje pa dekretin e presidentitNdërkohë, Ambasada Amerikane në Tiranë kishte bërë thirrje për sundim të ligjit dhe për "sigurinë e procesit zgjedhor", e po ashtu edhe për qetësi në protestën e së premtes.
Në një postim në Twitter, Ambasada e SHBA-së në Tiranë shkruante:
“Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht, ndërkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë, të mbajnë përgjegjësi”.
“Nxisim të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet kudo në Shqipëri që t’i mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike, ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Thirrje për protesta të qeta kishte bërë edhe Bashkimi Evropian.
Duke theksuar mbështetjen për të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar, BE-ja ka bërë thirrje që kjo e drejtë të ushtrohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.
"Ne jemi të shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë", thuhet ndër tjerash në deklaratë.
"Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të treguar vullnet të fortë politik dhe për t'u angazhuar urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike aktuale, si dhe për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e reformave", përfundon deklarata.
Edhe ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, përmes një postimi në Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve t’i respektojnë ligjet në fuqi. Ajo ka shtuar se nga organizatorët pret “të angazhohen me të gjitha mundësitë për një zhvillim paqësor të protestës”.
Disa ditë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri Rama nuk e ka fshehur drojën e tij se zhvillimet e fundit në vend mund të përkeqësojnë nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe pritet të fillojë negociatat për anëtarësim në muajin qershor të këtij viti.
Intervista e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për REL
Your browser doesn’t support HTML5