Ndaj katër të rinjve nga radhët e komunitetit serb, të cilët u arrestuan në Mitrovicën e Veriut më 10 shtator, është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej një muaji, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati Nebojsha Vllajiq.
Në Mitrovicë të Veriut, të mërkurën, qindra qytetarët serbë protestuan pothuajse tërë ditën para stacionit policor në shenjë pakënaqësie për arrestimet. Por, protesta u shpërnda para se Gjykata në Mitrovicë të Veriut të merrte vendimin për katër të arrestuarit.
Disa aktivistë serbë dhe qytetarë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë se të rinjtë janë rrahur nga zyrtarët policorë, ndërsa Policia e Kosovës ka deklaruar se të rinjtë në fakt kanë sulmuar dy policë, dhe se gjatë arrestimit është përdorur forcë minimale për t’ua vënë prangat.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në Mitrovicën e Veriut u arrestuan për sulm ndaj personit zyrtar, thotë Policia e KosovësProtestuesit më 11 shtator mbanin pankarta me mbishkrimin "Lironi fëmijët tanë" dhe "Policia e Kurtilandit", si dhe përdorën bilbila për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Në protestë ishte i pranishëm edhe anëtari i partisë Demokracia Serbe, i cili pretendon se Policia e Kosovës po përdor forcë të tepruar.
Më parë, për arrestimin e të rinjve reagoi edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, duke theksuar se “brutaliteti i Policisë së Kosovës ndaj serbëve, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, është bërë përditshmëri në veri të Kosovës”.
Reagime ka pasur edhe nga Beogradi, duke pretenduar se Policia e Kosovës i ka rrahur të rinjtë, ndërsa nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar se ekziston një video e ruajtur që provon "torturën".
Katër të rinjve të ndaluar në Mitrovicë të Veriut, për “sulm ndaj personit zyrtar”, të martën u ishte caktuar masa e paraburgimit.