Mijëra gjeorgjianë protestuan kundër projektligjit për “agjentë të huaj”, legjislacion që ka tronditur shtetin e Kaukazit, përderisa ligjvënësit nga partia në pushtet i dhanë dritën e gjelbër pavarësisht përleshjeve në Parlament.
Sipas vlerësimeve, 5.000 persona u mblodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit mbrëmjen e 15 prillit duke u bërë thirrje autoriteteve që të zhbëjnë projektligjin, i cili parasheh që entitetit që financohen nga jashtë të regjistrohen si agjentë të huaj. Ky projektligj nga shumë po krahasohet me legjislacionin e ngjashëm që zbatohet në Rusi, i cili është përdorur për të shtypur mospajtimin dhe veprimtarinë e grupeve të shoqërisë civile.
Disa nga protestuesit u përleshën me policinë që ishte dislokuar jashtë ndërtesës së Parlamentit, tha Ministria e Brendshme përmes një deklarate, duke shtuar se 14 protestues u arrestuan dhe një zyrtar policor pësoi lëndime si pasojë e “veprimeve të dhunshme të protestuesve”.
Më herët gjatë 15 prillit, pati përleshje pasi deputeti opozitar, Aleko Elisashvili, sulmoi një anëtar të partisë në pushtet i cili po tentonte që të paraqiste projektligjin.
Eliasashvili goditi me grusht Mamuka Mdinaradze, udhëheqësin e fraksionit parlamentar të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, duke shkaktuar rrëmujë në seancën plenare.
Mdinaradze duket se nuk pësoi lëndime nga ky sulm, duke pasur parasysh faktin që pas një pauze të shkurt, ai mori pjesë në një takim të Komisionit parlamentar për çështje ligjore.
Më herët gjatë këtij muaji, Mdinaradze tha se partia Ëndrra Gjeorgjiane po planifikon që sërish të prezantojë projektligjin, i cili nëse miratohet, do të obligojë organizatat jofitimprurëse dhe mediat që financohen nga jashtë dhe janë të përfshira në aktivitete, që gjerësisht përshkruhen si “politike, të raportojnë për aktivitetet e tyre para autoriteteve.
Legjislacioni, që nxiti protesta masive kur për herë të parë u prezantua vitin e kaluar, duke detyruan Qeverinë që ta tërheqë, po ashtu do të bënte që të autoritetet të prezantonin kompetenca të gjera mbikëqyrëse dhe sanksione të mundshme penale për vepra të papërcaktuara penale.
SHIKONI EDHE: Parlamenti i Gjeorgjisë anulon projektligjin për "agjentët e huaj"Ky projektligj është identik me projektligjin që ishte prezantuar – më pas tërhequr – vitin e kaluar, tha Ëndrra Gjeorgjiane, përveç një ndryshimi: termi “agjent i huaj” do të zëvendësohet me “organizatë që ndjek interesat e një fuqie të huaj”.
Kjo parti insiston se legjislacioni është identik me atë amerikan dhe nuk imiton Ligjin për “agjentë të huaj” të Rusisë.
Legjislacioni fillimisht duhet të miratohet në Komisionin për çështje ligjore, që kontrollohet nga Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e saj të koalicionit. Më pas, ai dërgohet për lexim të parë në Parlament.
Shumica e protestuesve më 15 prill bën thirrje që të vazhdojnë protestat para Parlamentit më 16 prill.