Pagesa prej 100 eurosh në muaj, derisa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave, zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale, ishin kërkesat kryesore të punëtorëve të sektorit publik, të cilët kanë protestuar më 20 maj në Prishtinë.
Protesta është organizuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Për shkak të kësaj proteste, procesi mësimor nuk është zhvilluar në institucionet e arsimit, në mbarë Kosovën, pasi Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë,(SBASHK) ka thënë se mësimdhënësit do të jenë pjesëmarrës në protestë.
Pjesëmarrës tjerë në protestë kanë qenë edhe punëtorët e sistemit shëndetësor, ata të Doganës dhe administratës publike, të cilët u grumbulluan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
SHIKONI EDHE: Qeveria "nuk përfill" sindikatatAtdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, kërkoi nga ekzekutivi që t’i realizojë kërkesat e tyre dhe të mos i shpërfillë sindikatat dhe siç u shpreh “Qeveria t’i hapë dyert e dialogut social”.
“Shqetësimet tona janë reale, shqetësimet tona janë të përbashkëta, janë shqetësime që i njihni edhe ju [Qeveria]. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të ngadalësuar dhe të tejzvarritur të projektligjit për paga, që tashmë duhej të ishte miratuar. Dhe, në këtë mënyrë do të rregullohet sistemi i pagave ashtu siç duhet ”, tha Hykolli.
Qeveria ka muaj që thotë se ky projektligj është në fazën e fundit të hartimit, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.
Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, deklaroi se nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre, veprimet sindikale do të jenë edhe më të rënda.
“Qeveri, këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Heshtja e Qeverisë, ikja nga dialogu social, tregon se ata e dinë se kërkesat tona janë legjitime. Ne e duam Ligjin e pagave, por jo ligj që e punon dikush, por ligj që e punojmë edhe ne”, tha Jasharaj para protestuesve.
SHIKONI EDHE: Pse po protestojnë sindikalistët?Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.
Muajve të fundit ka pasur disa protesta dhe greva të punonjësve publikë me kërkesën për rritje pagash.
Sindikalistët kishin mbajtur një protestë me kërkesa të njëjta edhe më 8 prill, kurse më 12 maj në disa nga institucionet publike është mbajtur një grevë njëorëshe.
Ata kishin thënë se nuk mund të durojnë “shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social dhe mosrespektimin e profesionalizimit” nga autoritetet qeveritare.