Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës janë kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një protestë të mbajtur të enjten në Rudarë të Komunës së Zveçanit.
Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga disa qytetarë serbë në veri të Kosovës, pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 10 dhjetor.
“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim, vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq, kryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi pretendimet se Policia e Kosovës ka lista, sipas së cilave arreston ish-policë të nacionalitetit serb.
Në fillim të protestës, turmës iu drejtuan edhe djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, dhe të tjerë nga sektori i arsimit dhe drejtësisë.
Ata thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por se janë kundër Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Ata i dënuan arrestimet në veri dhe dërgimin e, siç thanë, njësive speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës.
Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, është “frikësimi” i popullit serb.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, nga radhët e Listës Serbe, tha se "në këtë luftë, serbët janë të bashkuar".
Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Lumit Ibër, ose të ketë "vetëm nga ata që duan t'i përulen".
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.
Policia e Kosovës tha se, sipas vlerësimeve në terren, protesta ka përfunduar e qetë dhe se në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 njerëz.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në protestë ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës. Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.
Në mesin e të pranishmëve kishte edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale.
Disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët bisedoi REL-i, thanë se protestojnë për të drejtat e tyre, por kishte edhe nga ata që deklaruan se u detyruan të protestojnë. Tubimet e tilla janë “obligim pune” për punonjësit në institucionet serbe në Kosovë.
Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.
Paraprakisht, Rakiq tha përmes një video-mesazhi se Kurti planifikon të “vrasë serbë” në barrikada.
Ajo që Kurti i tha, në fakt, gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.
SHIKONI EDHE: Çfarë thanë Kurti e Rakiq për “viktimat” në veri?Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u ofron “mbështetje të plotë” serbëve në Kosovë.
Protestuesit kundërshtuan edhe “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.
*Video: Pamje e barrikadave të vendosura në rrugë nga disa serbë lokalë në veri të Kosovës
Your browser doesn’t support HTML5
Nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.
Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Autoritetet e Kosovës janë kundër formimit të këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.