Brukseli pret detaje për idenë e Macronit për komunitetin e ri politik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ideja e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e “komunitetit politik evropian”, ku do të ishin bashkë me vendet e Bashkimit Evropian edhe shtetet joanëtare, ka nxitur kureshtje në selinë e bllokut në Bruksel, por edhe në kryeqytetet e shteteve anëtare.

Por, komente dhe reagime zyrtare për këtë ide ende nuk ka. Diplomatët në BE, ndërkohë po analizojnë se çfarë ndikimi do të ketë kjo ide në procesin e tanishëm të zgjerimit të bllokut, në të cilin janë të përfshirë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në aspiratat e shteteve lindore si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, të cilat po ashtu kanë aplikuar për anëtarësim.

Duke folur në Strasburg në Ditën e Evropës më 9 maj, Macron përdori kohëzgjatjen e procesit të zgjerimit, sipas procedurave aktuale, si argument për të propozuar idenë për aranzhimet e reja të raporteve midis BE-së dhe shteteve që sipas tij, “ndajnë të njëjtat vlera” me bllokun evropian.

SHIKONI EDHE: Macron propozon union të ri politik për shtetet joanëtare të BE-së

Ndërkaq, duke marrë shembull perspektivën e Ukrainës për anëtarësim në BE, Macron tha se dihet që procesi i anëtarësimit mund të marrë disa vite kohë, madje edhe dekada.

Ai shtoi se BE-ja nuk mund të jetë formati i vetëm për strukturimin e kontinentit evropian brenda një afati të shkurtër kohor. Prandaj, ai tha se organizata e re politike, që ai ka propozuar, “do t’u mundësojë të gjitha shteteve evropiane, që u përmbahen vlerave tona thelbësore, që të gjejnë një hapësirë të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, në fushën e transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve”.

Në selinë e Komisionit Evropian nuk kanë dashur të komentojnë idenë e Macronit, por thanë se po presin më shumë detaje.

“Kjo ide sapo është përmendur para një dite nga presidenti i Francës. Ai paralajmëroi se do të paraqesë detaje të tjera rreth kësaj ideje dhe do t’i njoftojë liderët e vendeve të tjera anëtare në Këshillin Evropian”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, dhe shtoi se derisa të mos ketë detaje, KE-ja nuk do të komentojë rreth kësaj ideje.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar se do të vazhdojë punën për shqyrtimin e aplikacionit të Ukrainës për anëtarësim në BE, me synimin që të japë mendim për këtë çështje në muajin qershor.

SHIKONI EDHE: Zelensky: Anëtarësimi i Ukrainës në BE, “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit rus

Edhe diplomatë të shteteve anëtare kanë qenë të kujdesshëm në reagime lidhur me idenë e Macronit, shteti i të cilit në fillim të vitit nisi kryesimin e Presidencës së BE-së. Disa prej diplomatëve kanë rikujtuar se edhe në të kaluarën ka pasur propozime për aranzhime të raporteve të afërta të BE-së me shtetet joanëtare, që jo domosdo kanë nënkuptuar anëtarësim formal në BE. E tillë ka qenë edhe ideja për “partneritetin e privilegjuar”.

Por, ka diplomatë të cilët thonë se tashmë shumë prej shteteve të BE-së kanë raporte “shumë të afërta” me shtetet joanëtare përmes marrëveshjeve të Stabilizim Asocimit (MSA).

SHIKONI EDHE: Vuçiq flet për 'komunitetin politik evropian' të propozuar nga Macron

Me shtetet e Ballkanit Perëndimor këto raporte po ashtu janë të rregulluara përmes marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit. Përmes këtyre dokumenteve rregullohen edhe bashkëpunimi politik, ekonomik, shkëmbimi tregtar dhe raporte në fusha të tjera.

“Nëse shfrytëzohet, MSA-ja është format i mjaftueshëm për raporte deri tek anëtarësimi në BE”, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së, duke rikujtuar se përmes këtyre marrëveshjeje është hapur pothuajse në tërësi tregu i BE-së për këto shtete. Nga aspekti politik, përmes MSA-së, shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë për obligim që të përshtatin qëndrimet e tyre dhe politikën e jashtme me ato të bllokut.

SHIKONI EDHE:

Zgjerimi i BE-së, i ngadalshëm dhe me shumë kushtëzimeScholz kërkon që BE-ja të nisë bisedimet për anëtarësim me Tiranën dhe Shkupin

Prandaj në BE jo të gjithë janë të sigurt nëse ide të tilla janë “fazë kalimtare deri tek anëtarësimi” apo një “alternativë e anëtarësimit” në BE.

Pas paraqitjes së idesë së Macronit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e cilësoi si “një sugjerim mjaft interesant për t’u përballur me sfidën më të madhe me të cilën përballemi”.

Por, ai paralajmëroi se BE-ja duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos e ndalojë procesin e anëtarësimit të shteteve, të cilat tashmë e kanë nisur atë, dhe kanë miratuar vendime, siç i ka quajtur ai, “shumë të guximshme”.

“Ne duhet të gjejmë mënyra që kjo trimëri të mos zhgënjehet”, tha Scholz.

Disa diplomatë perëndimorë druajnë se kjo ide e Macronit, edhe nëse është me qëllim të mirë, mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të zgjerimit të BE-së dhe kjo si pasojë mund të ketë edhe humbjen e interesit në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për reforma dhe zgjidhje të çështjeve të hapura mes vendeve të këtij rajoni.