Austria propozon integrim gradual në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Pas propozimeve të presidentit të Francës, Emanuel Macron, për krijimin e një “Bashkësie politike evropiane” dhe të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel për “Bashkësi gjeopolitike evropiane”, disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian po dalin po gjithashtu me ide për forcimin e lidhjeve të vendeve të rajonit të Ballkanit me BE-në.

Në një “non-paper”, Austria ka propozuar një “integrim gradual” të vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë nga Ballkani Perëndimor.

SHIKONI EDHE: Përshtatja e Ballkanit P. me politikën e jashtme të BE-së, "element qendror në rrugën evropiane"


“Ne duhet të mendojmë përtej mjeteve ekzistuese të zgjerimit dhe fqinjësisë dhe të përdorim potencialin e papërdorur deri më tani. Përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë, ne duhet të krijojmë mundësi që këto vende t’i integrojmë në fushat politike, të cilat kanë përfitime konkrete për kandidatët dhe qytetarët e tyre”, thuhet në këtë dokument jozyrtar të Austrisë.

Austria argumenton se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës e ka ndryshuar mjedisin gjeopolitik dhe mund të ketë ndikim negativ edhe në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke e afruar konfliktin në mes të Evropës.

“Ne duam dhe kemi nevojë t’i kemi vendet e rajonit në anën tonë. Ata janë partnerë kyçë dhe pjesëtarë përbërës të familjes evropiane, Prandaj duhet ta rimendojmë qasjen tonë ndaj zgjerimit dhe politikës së fqinjësisë. Zgjerimi nuk është vetëm një procedurë burokratike, por instrumenti më i fuqishëm gjeostrategjik”, thuhet në këtë dokument.

SHIKONI EDHE: Michel inkurajon krijimin e “Bashkësisë gjeopolitike evropiane”

Austria pranon se procesi i deritashëm i zgjerimit nuk ka sjellë rezultatet e duhura në vitet e fundit dhe ka çuar deri te frustrimi në rajon.

Austria propozon që të ketë integrim gradual në tregun e përbashkët të BE-së, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes së mallrave, lehtësimin e tregtisë mes rajonit dhe BE-së, heqjen e tarifave doganore për prodhimet bujqësore, lirinë e lëvizjes së punëtorëve, shërbimeve dhe kapitalit.

Po ashtu, Austria propozon pjesëmarrjen në politikat e BE-së në fushën e mjedisit dhe energjisë, përfshirjen në rrjetet trans-evropiane të transportit dhe në shumë fusha tjera.

Procesi i integrimit do të mbetej i bazuar në merita dhe secili vend do të vlerësohej në bazë të përshtatjes me standardet e BE-së dhe reformat. Qasja në fondet e BE-së, sipas këtij dokumenti, do të ishte një motiv për reforma dhe përshtatje me politikat e BE-së.

SHIKONI EDHE: Ideja e Macronit që mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

Nga aspekti politik propozohet që të ftohen vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në takimet joformale të Këshillit të BE-së, ndërsa në institucionet tjera të Bashkimit Evropian të kenë një status të vëzhguesit. Së paku një herë në vit do të duhej të kishte samite të përbashkëta të liderëve të BE-së me kolegët nga Ballkani Perëndimor.

Shumë nga këto ide pritet të diskutohet në ditët në vijim në vizitat e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe të vendeve anëtare në rajon.

Ndërsa, diskutimet kryesore do të zhvillohen më 23 qershor në Bruksel kur zhvillohet takimi i liderëve të rajonit dhe atyre të BE-së.