Pronat e sekuestruara të Radoiçiqit i kalojnë Policisë së Kosovës

Një vilë e sekuestruar e Radoiçiqit gjendet pranë Liqenit të Ujmanit.

Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiq, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Radoiçiqin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.

Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

SHIKONI EDHE: Kosova përpunon aktakuzën kundër Radoiçiqit, Serbia i kërkon dokumente EULEX-it

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut - që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.

Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiqit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.

Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe.

Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera.

SHIKONI EDHE: Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?