Një kompani kineze që ka në pronësi një fabrikë në Kaliforni, ka kryer qindra dërgesa të pajisjeve elektronike në Rusi, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, përfshirë edhe dërgesat për te kompanitë e sanksionuara që janë të lidhura me ushtrinë ruse.
Të paktën një produkt i prodhuar nga kompania, Yangzhou Yangjie Electronic Technology Company Limited, është gjetur në armatimin rus, që është konfiskuar nga Ukraina në fushëbetejë, sipas një baze publike të të dhënave që kontrollohet prej ushtrisë ukrainase.
Yangjie Technology, e cila gjendet në qytetin Yangzhou, në veriperëndim të Shangait, ka kryer më shumë se 200 dërgesa të mallrave specifike në Rusi, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, sipas të dhënave të doganës, të siguruara nga C4ADS, organizatë me seli në Uashington, e specializuar për analizim të të dhënave.
SHIKONI EDHE: BE-ja do t’i godasë firmat kineze me sanksione për mbështetjen e Rusisë në UkrainëNë listën e pajisjeve të transportuara përfshihen edhe pjesë të kategorizuara si të “prioritetit të lartë” nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të përdorimit potencial të tyre në sistemet ruse të armatimit, sipas të dhënave të siguruara nga C4ADS - në të cilat ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë - e cila e ka verifikuar kryerjen e më shumë se 150 dërgesave.
Të paktën 17 dërgesa kanë pasur destinacion kompani ruse të elektronikës, të cilat janë goditur me sanksione amerikane.
Këto gjetje shpërfaqin vështirësinë e shteteve perëndimore që t’ia pamundësojnë ushtrisë ruse qasjen në teknologji perëndimore, teksa vazhdon luftën.
Lidhjet e Kinës me Moskën janë thelluar pas nisjes së luftës në Ukrainë, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë ekonomik, ndonëse Pekini ka bërë përpjekje që të mos goditet nga Perëndimi, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, partneret më të mëdha tregtare.
SHIKONI EDHE: Xi dhe Putin i cilësojnë raportet e tyre si “forcë stabilizuese” në botën kaotikeUashingtoni dhe Bashkimi Evropian i kanë sanksionuar disa kompani kineze pse u kanë ofruar rusëve teknologji kritike. Pas disa muajve të presionit, Kina e ka miratuar në tetor një rregullore që synon kufizimin e dërgesave të produkteve për përdorim të dyfishtë në Rusi.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se transportimi i mallrave prej Kinës ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e Rusisë në fushëbetejë.
Pajisjet e transportuara nga Yangjie Technology, sipas të dhënave të doganës, përfshijnë disa lloje diodash dhe disa lloje transistorësh – pajisje elektronike për përforcim apo ndërrim të rrymave elektrike.
Ushtria ukrainase ka arritur të konfiskojë të paktën një diodë të prodhuar nga Yangjie Technology, të përdorur në një modul të një sistemi ushtarak rus, sipas një baze ukrainase të të dhënave, që analizon pjesët e huaja që janë përdorur në sistemet ruse të armatimit.
Sistemi rus në të cilin është gjetur pajisja përdoret për të ofruar informacion të detajuar për lëshim të të ashtuquajturave bomba rrëshqitëse, të cilat Rusia i ka përdorur shpesh në luftën në Ukrainë.
Yangjie Technology i ka kryer 173 dërgesa të pajisjeve teknologjike “të prioritetit të lartë” te kompania ruse Simmetron Electronic Components.
Simmetron është goditur me sanksione amerikane në maj të vitit 2023, në kuadër të masave të gjera për “degradim të kapacitetit të Federatës Ruse për të luftuar kundër Ukrainës”.
Të paktën tri dërgesa kanë pasur adresë Simmetronin në periudhën gusht-shtator 2023, sipas të dhënave doganore.
As Yangjie dhe as Simmetron nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.
SHIKONI EDHE: Kampi në firmën bjelloruse ku dyshohet se Rusia torturonte ukrainasitLidhjet me Kaliforninë
Yangjie, kompania prodhuese e Kinës, është përfshirë në listën e aksioneve Shangai prej vitit 2014.
Vitin e kaluar, aksionet ndërkombëtare të kompanisë, kanë nisur të tregtohen edhe në bursën zvicerane.
Si pjesë e marrëveshjes, kompania e ka emëruar gjigantin amerikan për shërbime financiare, Citibank, që të shërbejë si bankë në mes të tregtarëve që blejnë dhe shesin aksione ndërkombëtare.
Citigroup nuk ka pranuar të komentojë në hollësi nëse kompania është në dijeni për shkelje të mundshme të sanksioneve.
“Citi është kompani e përkushtuar për të kryer biznes me klientët, në përputhje me ligjet dhe rregulloret që operon. Ne kemi kontrolle, politika dhe procese për të vëzhguar respektimin e këtyre obligimeve, përfshirë sanksionet”, ka thënë një zëdhënëse e kompanisë në disa përgjigje nëpërmjet emailit.
Më 2015, Yangjie ka arritur marrëveshje për të blerë një kompani të gjysmëpërçuesve me bazë në Shtetet e Bashkuara, Micro Commercial Components, e cila është thënë se prodhon “gjysmëpërçues diskretë të kualitetit të lartë”, dhe që disa prej tyre mund të shfrytëzohen edhe për teknologji ushtarake.
Ndonëse selinë e ka në Simi Valley të Kalifornisë, Micro kontrollon disa fabrika në Japoni, Kinë dhe Tajvan.
Në një email dërguar Radios Evropa e Lirë (REL), Micro Commercial Components, ka thënë se vepron në përputhje me të gjitha sanksionet dhe rregulloret amerikane.
Kompania ia ka dërguar REL-it një kopje të politikave të veta për eksport, të cilat parashohin që “blerësi duhet të veprojë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret sa i përket blerjes, shitjes, transportit, eksportit, rieksportit, transferit apo përdorimit të produkteve”.
Një kompani ruse e quajtur VM Components, e cila punon nën emrin Platan dhe e përshkruan veten si lidere në ofrim të pajisjeve elektronike në Rusi, ka pranuar dhjetëra dërgesa nga Yangjie, sipas të dhënave doganore.
VM Components është pjesë e një rrjeti të kompanive që punojnë ngushtë me kompaninë tjetër të sanksionuar, JSC Roselektronika, dhe një entitet rus që është në pronësi të Shërbimit Federal të Sigurisë, agjencisë ruse për siguri të brendshme.
Ky entitet njihet më shpesh si Instituti i FSB-së për Kriminalistikë, apo me kodin e vet ushtarak, 34435.
Një hetim i përbashkët i dhjetorit të vitit 2020, i kryer nga platformat si Bellingcat, The Insider, CNN dhe Der Spiegel, ka gjetur se shërbimet ruse të sigurisë, të lidhura helmimin e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny në gusht të atij viti, kanë punuar nën njësitin e përmendur ushtarak.
Navalny ka vdekur në një burg rus nën rrethana të paqarta, në shkurt të vitit 2024.
SHIKONI EDHE: Navalny shkroi se e dinte që do të vdiste në burgNë të dhënat doganore nuk bëhet e ditur nëse Instituti i FSB-së për Kriminalistikë ka pranuar pajisje specifike që janë transportuar nga Yangjie.
VM Components nuk është përgjigjur në një kërkesë për koment.