Prokuroria ngre edhe një aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A, i cili akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar – maj të vitit 1999 në Kosovë.

"I akuzuari Ç.A, në periudhën kohore janar - maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të paidentifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale 'Krim i luftës kundër popullsisë civile'", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që të mbahet gjykimi në mungesë, pasi që, siç thuhet në njoftim,“janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

SHIKONI EDHE: Ngrihet aktakuza e parë në mungesë për dhunim gjatë luftës në Kosovë

Më 2 maj, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj një personi tjetër, me inicialet D.R, i dyshuar se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë.

Kjo ishte aktakuza e parë e ngritur në mungesë të të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari D.R, kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë.

Ai, sipas aktakuzës, ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare, e cila pësoi “lëndime fizike në trup, si dhe trauma të rënda të përhershme psikike”.

SHIKONI EDHE: “Edhe dielli më pengonte”: Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës organizata të ndryshme vendëse e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Kosova ka shpallur 14 Prillin Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.