Specialja ngre aktakuzë të re kundër Thaçit, si dhe ndaj katër të tjerëve

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi të premten një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Në një njoftim për media, Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u dërguan në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë, tha gjykata.

Gjykata shtoi se Hajredin Kuçit iu dorëzua aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

SHIKONI EDHE: Prokuroria e Hagës thotë se po kryen operacione mbi dyshimet për pengim të drejtësisë

Thaçi – i cili është duke u gjykuar nga kjo gjykatë në një rast të ndarë kundër ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

“Së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza e re ndaj Thaçit dhe të tjerëve vjen një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të enjten se po kryente operacione të vazhdueshme në Kosovë në lidhje me hetimet që është duke i kryer për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

SHIKONI EDHE: Mbrojtja e dëshmitarëve, sfiduese për Specialen

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu pritet ta bëjnë paraqitjes e parë për këto akuza të dielën, 8 dhjetor 2024

Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.