Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-'99.

Prokuroria e ngarkon të dyshuarin Sh.L, me kombësi gorane, me kryerjen e krimeve, si vrasje dhe torturë "në bashkëkryerje me persona të tjerë” në rajonin e Prizren në jug të Kosovës.

“I pandehuri, në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor ndaj popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në komunat Suharekë dhe Rahovec”, thuhet në njoftim.

Prokuroria tha se hetimet kanë gjetur se viktimat ishin arrestuar nga policia e atëhershme serbe dhe ishin dërguar në stacionin policor në Prizren, ku ishin marrë në pyetje nga i dyshuari.

Ai dyshohet për “torturim dhe trajtim çnjerëzor” të disa të burgosurve shqiptarë derisa i kishte marrë në pyetje në stacionin policor.

“Si rezultate i torturave i ndjeri R. J. ka vdekur kurse dhjetë (10) civile të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja psikike”, tha Prokuroria.

I dyshuari është duke u mbajtur në paraburgim në pritje të gjykimit, tha prokuroria.

Kjo është aktakuza e tretë e ngritur brenda tri ditëve për krime lufte në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Aktakuzë kundër dy të dyshuarve për krime lufte në Kosovë

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-'99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.