Votohet në parim projektligji për pagën minimale

Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Pas miratimit në parim të projektligjit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se projektligji do t'u ndihmojë më shumë se 100 mijë punëtorëve, të cilët paguhen më pak se 264 euro.

Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

Për Xhevdet Qeriqin, veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, miratimi në parim i projektligjit për rritjen e pagës minimale është i padrejtë.

Qeriqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ngritja e pensionit që ata marrin nga shteti është e rëndësishme për veteranët, për shkak të gjendjes së krijuar nga rritja e çmimeve.

“Një pjesë bukur e madhe e luftëtarëve që i kemi, të vetmin burim të familjes e kanë pensionin e veteranëve. Duke pasur parasysh gjendjen, në çfarë[gjendje] jemi sot me ngritjen e çmimeve, [ngritja e pagës] është [e rëndësishme] jo vetëm për kategoritë e luftës, por për secilin sektor, pasi që prej vitit 2011 në asnjë sektor nuk ka pasur ndryshim të ngritjes së pagave”, thotë Qeriqi, i cili është pjesë e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo organizatë ka protestuar kundër projektligjit më 6 qershor dhe ka paralajmëruar një protestë tjetër për 16 qershor.

SHIKONI EDHE: Veteranët kërkojnë rritje pensionesh

Projektligji i miratuar është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ai nuk ka ndonjë ndikim te punëtorët.

“Në shumicën e sektorit privat, paga minimale ka arritur në 250 euro. Po të ishte paga minimale në propozimin tonë që e kemi pasur - prej 370 eurosh neto - atëherë do të kishte diskutim. Në kuadër të këtij ligji është po ashtu një nen, i cili e largon një kategori (veteranët) nga lidhja me pagën minimale”, tha Tahiri.

SHIKONI EDHE: "Sherret" e listës së veteranëve

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nga viti 2017 - kur edhe është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës - ndërlidhja e pensionit të tyre me pagën minimale nuk parashihet më.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më 7 qershor, ka theksuar se “nuk është se shteti jep pak për veteranin,”por veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që ndoshta mund të mos jenë veteranë”.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.

Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.

Qeriqi nga OVL e UÇK-së thotë se për “listat e fryra” kjo organizatë ka diskutuar me kryeministrin Albin Kurtin në dy takime, në qershor të vitit të kaluar dhe në maj të këtij viti.

“Në dy takimet është diskutuar (kjo temë) dhe që duhet ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Por, në fakt nuk po veprojnë në këtë drejtim, kompetencë e tij ekskluzive është që të ndërmarrë vendime për pastrimin e këtyre listave. Ne i kemi shprehur gatishmërinë për bashkëpunim për gjithçka, por përveç deklaratave nuk ka ndonjë hap konkret që po pritet të ndërmarrë kryeministri dhe Qeveria në këtë drejtim”, tha Qeriqi.

Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK - gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

Tensione gjatë protestës së veteranëve

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Çka parasheh projektligji?

Projektligji, i cili synon rritjen e pagës minimale ka për qëllim të ndryshojë dhe plotësojë ligjet e përcaktuara në të cilat ndërlidhin shumën e beneficioneve apo kompensimeve me pagën minimale.

Po ashtu, ky projektligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

Sipas projektligjit të miratuar në parim - Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Projektligji ndryshon dhe plotëson Ligjin për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ligjin për personat e verbër dhe Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Te veteranët ky projektligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.

Edhe për kompensimin për përfituesit - personat e verbër dhe personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, Qeveria e Kosovës vendos për lartësinë e shumës - varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual.

Paga minimale, sipas projektligjit, ka zero tatim.

Çka tani?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit në parim të projektligjit, tha se Kuvendi ngarkon komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregulloret e Kuvendit të shqyrtojnë projektligjin dhe të paraqesë raportin me rekomandime.

Komisioni funksional, sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, raportin me rekomandime për projektligjin duhet ta paraqesë brenda dy muajve - nga shqyrtimi i parë. Në raste të veçanta, sipas rregullores, komisioni mund të kërkojë nga Kuvendi afat shtesë, deri në një muaj, për ta paraqitur raportin.

SHIKONI EDHE: GAP: Rritja e pagës minimale prek mbi 100 mijë punëtorë  


Komisioni funksional – raportues, pasi e përfundon shqyrtimin, Kuvendit ia paraqet raportin me rekomandime së paku pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.

Në raport, sipas rregullores së Kuvendit, përfshihet edhe mendimi i komisioneve të përhershme, si dhe deklarimi për amendamentet e propozuara nga deputeti, nga komisioni, nga Grupi Parlamentar apo nga Qeveria.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.