Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar tri projektligjet për FSK-në të cilat transformojnë këtë forcë në forca të armatosura. Këto projektligje tani pritet të kalojnë në Kryesinë e Kuvendit, e cila vendos se kur do të shqyrtohen për miratim në një prej seancave të radhës.
Përfaqësuesit e partive shqiptare në Komisionin parlamentar votuan pro këtyre projektligjeve, përderisa deputeti i Listës Serbe, Zoran Mojsiloviq ishte kundër.
Ai tha se këto projektligje qartazi tregojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe se përveç emrit, asgjë tjetër nuk do të jetë e njëjtë.
“Kompetencat dhe përgjegjësitë që do të kishte kjo forcë e dëshmojnë këtë transformim, vetëm emri do të mbetet i njëjtë si Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë jam i habitur sepse e di që kjo është në kundërshtim me porositë që kemi marr nga NATO-ja gjatë vizitës tonë të përbashkët në Bruksel. Për komunitetin serb, prej të gjitha strukturave të sigurisë, vetëm KFOR-i është i pranueshëm, dhe se besimin më të madh serbët e kanë të kjo forcë”, u shpreh deputeti Mojsiloviq.
SHIKONI EDHE: Kë e frikëson Ushtria e Kosovës?Ndërkaq, deputetët e pozitës dhe opozitës në këtë Komision thanë se procedimi i këtyre projektligjeve është i një rëndësie të madhe, pasi ekziston nevoja që FSK-ja të transformohet në forcë të armatosur, përkatësisht në Ushtri të Kosovës, sipas standardeve ndërkombëtare.
Deputeti Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ky transformim do të kishte ndikim në stabilitetin rajonal, por edhe në përfshirjen e Kosovës në misione paqeruajtëse.
“Këto projektligje nuk janë në dëm të askujt, por në shërbim të mbrojtjes dhe integritetit dhe pronës së gjithë qytetarëve”, tha Xhelili.
SHIKONI EDHE: Mattis "mbështet FSK-në dhe procesin e transformimit të saj"Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri, tha se kjo parti e përkrahë transformimin e FSK-së si dhe do të votojë pro.
“Shpresojmë se më ne fund Kosova të bëhet me ushtri”, tha Beqiri.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, mbështeti këto projektligje mirëpo tha se gjatë dy leximeve në Kuvendin e Kosovës, nevojitet plotësimi i tyre në mënyrë që të përmirësohet me të vërtet roli i kësaj force në mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Daut Haradinaj deklaroi se do të ishte më mirë që transformimi të bëhej përmes ndryshimeve kushtetuese, mirëpo kjo është e pamundur për shkak të votës kundër të Listës Serbe.
SHIKONI EDHE: Transformimi i heshtur i FSK-sëKëto projektligje parashohin riorganizimin dhe transformimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Misioni i Forcës së Sigurisë do të jetë ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovë si dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare.
Detyra e këtyre forcave deri tash ka qenë e përqendruar në ndihmën ndaj autoriteteve civile gjatë fatkeqësive natyrore, situate emergjente etj.
Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese tash për tash është i pamundur për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, e cila ka thënë se nuk i voton këto ndryshime. Prandaj, Qeveria e Kosovës vendosi që përmes ndryshimeve ligjore të bëjë transformimin e FSK-së.