Për të ndalur hovin e ikjes së të rinjve nga Maqedonia e Veriut autoritetet shtetërore në vend kanë bërë të ditur se do të intensifikojnë projektet për vetëpunësim, si dhe hapjen e kompanive të reja po nga të rinjtë.
Gjatë këtij viti, nëpërmjet planit operativ parashihet të bëhen 14 mijë e 685 punësime të reja, ku siç thonë prioritet do t’u jepet të rinjve.
Plani Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2022 është 1,8 miliard denarë ose rreth 30 milionë euro, qw i bie pesë milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Përmes programit të vetëpunësimit, ndahen grante prej 5.000 euro për një të vetëpunësuar, pra 10.000 euro për dy partnerë për të filluar biznesin e tyre.
Një nga ata që ka arritur të hapë kompani me ndihmën e shtetit është dhe Arlind Mehmedi, 28-vjeçar nga Gostivari. Ai, pas diplomimit si inxhinier i ndërtimtarisë ka punuar disa vite në një laborator për testimin e kualitetit të materialeve ndërtimore.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë maqedonas me pasaporta bullgare drejt EvropësPor, pasi ka parë që në rajonin e Pollogut, i cili përfshin Tetovën, Gostivarin e më gjerë, nuk ka një laborator të tillë, bashkë me partnerin e tij, Boban Nikollovski, inxhinier i gjeomekanikës vendos të hapë një laborator të këtillë në këtë rajon.
Arlindi thotë se mjetet e siguruara nga shteti në vlerë prej 10 mijë eurosh kanë qenë një shtyllë shumë e rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tij, por thotë se problem më vete kanë paraqitur procedurat për të arritur deri te këto mjete.
“Mendoj se kërkesa e shumë dokumenteve bëhet për sigurinë tonë. Në rastin tim kërkohej që për blerjen e pajisjeve në laborator të dërgoja disa oferta ku duhej të zgjidhej më e mira dhe pagesa të realizohet pasi të më dorëzohej materiali - në këtë rast pajisjet për laboratorin. Këtu unë hasa në probleme pasi kompania nga sigurova pajisjet, kërkonte paradhënie, përkatësisht të realizohej pagesa e plotë dhe pastaj të m’i sillnin pajisjet, makinat, në laborator”, thotë Arlindi.
- Përqindje e lartë e papunësisë në mesin e të rinjve
- Rajoni konsiderohet atraktiv për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut
Ai nënvizon se për të pasur sukses kompanitë e reja duhet krijuar lehtësime në treg, pasi një pjesë e madhe e kompanive ekzistuese kanë krijuar monopol për shkak të lidhjeve shumëvjeçare gjatë funksionimit.
“Në aspektin e kyçjes në treg, kompanitë e reja që themelohen në bazë të programit për vetëpunësim duhet krijuar programe që këtyre kompanive t’u jepet shans. Edhe pse unë probleme të kësaj natyre nuk kam pasur pasi laboratori që kemi me partnerin është i vetmi në rajon dhe nuk kishim problem me tregun”, thotë Arlind Mehmedi, i cili ka pesë të punësuar në kompaninë e tij dhe planifikon që ta zgjerojë kompaninë me më shumë të punësuar të rinj.
Edhe gjatë këtij viti përmes programit për vetëpunësim kompanitë e reja në varësi nga numri i punësimeve mund të marrin grante prej 10 mijë eurosh. Por, nëse gjatë dy viteve kompania mbyllet, atëherë 60 deri 80 për qind e vlerës së këtyre mjeteve duhet kthyer në arkën e shtetit.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Treneçevska, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e kompanive të reja kanë arritur të mbeten likuide edhe në kushte të krizës, pasi, siç thotë, të rinjtë janë të prirë t’u përshtaten më lehtë sfidave të kohës.
“Duke ndjekur të dhënat që nga viti 2018 deri më tani, masa për vetëpunësim jep rezultate të mira, nisur nga ajo që pjesa më e madhe e kompanive të themeluara përmes kësaj mase janë funksionale. 82.3 për qind e kompanive, të cilat u themeluan gjatë vitit 2019 janë aktive. Përderisa kjo përqindje është shumë e lartë gjatë vitit 2021, ku 99.8 për qind e kompanive janë aktive dhe funksionojnë me sukses”, thotë Trençevska.
Ajo bën të ditur se gjatë këtij viti në subvencionimin e kompanive të reja përparësi do të kenë ata që konkurrojnë me të ashtuquajturat programe të gjelbra, përkatësisht për herë të parë në bashkëpunim me zyrën e UNDP-së po zbatohet një masë për të mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës përmes "investimeve të gjelbra".
“Investimet e gjelbra përfshijnë investime në procese që mundësojnë krijimin e produkteve apo shërbimeve të gjelbra, reduktojnë ose eliminojnë efektet e dëmshme në mjedis, efiçencën energjetike të objekteve dhe vendosjen e burimeve të ripërtërishme të energjisë në përputhje me Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor”, thekson Trençevska.
Nga Organizata e Punëdhënësve thonë se mjetet financiare që u ndahen kompanive të reja për vetëpunësim duhet rritur, në mënyrë që këtyre e kompanive t’u jepet shans të jenë konkurruese jo vetëm në tregun vendor, por edhe jashtë Maqedonisë së Veriut.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në udhëkryq pas diplomimitMile Boshkov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, thotë se gjatë konsultimeve me afaristët e rinj kërkesë kryesore mbetet rritja e mjeteve financiare që kompanitë t’i ndërtojnë në bazë të standardeve evropiane.
“Implementimi i dispozitave, përkatësisht një pjese të madhe të tyre nga Ligji për marrëdhënie pune, ose sigurinë gjatë punës, fiskalizimi etj., nuk mund të arrihet me 5 mijë apo 10 mijë euro për kompanitë që mendojnë të krijojnë biznese të konkurruese. Po është e vërtetë se këto kompani arrijnë të jenë likuide dy vjet aq sa kërkohet me ligj, por sa këto kompani arrijnë të kenë jetëgjatësi dhe sukses në treg, duhet analizuar”, thotë Boshkov.
Në bazë të të dhënave të Agjencisë për Punësim, numri më i madh i atyre që kërkojnë punë janë të rinj. Deri më 31 mars të këtij viti 10 mijë e 115 të rinj nga mosha 20 deri 24-vjeçare janë regjistruar si të papunë. Përderisa 12 mijë të tjerë i takojnë grup-moshës nga 25 deri 29-vjeçare.
Nga Agjencia për Punësim bëjnë të ditur se të rinjtë janë të interesuar të bëhen pjesë e programeve të ndryshme operative për ta pasur më lehtë sigurimin e një vendi të punës.
Përderisa nga Organizata e Punëdhënësve thonë se të rinjtë janë të interesuar për programe reale pasi ata gjithnjë e më shumë janë të vetëdijshëm se mjetet financiare që marrin, nuk janë dhe aq të rëndësishme kundrejt shkathtësive, me të cilat pajisen e që do t’u shërbejnë si në vend ashtu dhe jashtë vendit, duke u dhënë më shumë prioritet shkathtësive digjitale.