Prizrenfest – teatri pranë qytetarëve

Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur - Prizrenfest, nisi më 21 korrik në Prizen, ku edhe do të mbyllet, më 28 korrik.

Në Prizrenfest marrin pjesë 21 ansamble. Përveç Kosovës, pjesëmarrëse janë disa nga shtetet e rajonit dhe Italia, Greqia, Spanja, Republika Çeke, Irani, Franca dhe Bullgaria. 

Drejtori ekzekutiv i Prizrenfest-it, Shkëlzen Veseli, tha për Radio Evropa e Lirë se qyteti i Prizrenit është i pasur me trashëgimi kulturore, duke qenë shtëpi e shumë xhamive, kishave dhe teqeve të vjetra.

"Ideja ishte që teatrin ta ndërlidhim me trashëgiminë kulturore" të Prizrenit, tha ai.

Në Prizren kanë ardhur pjesëtarët e diasporës, por edhe turistë të huaj. Qyteti është gjallëruar. 

Todej Pishek, aktor i "Mini-teatrit" nga Sllovenia. Ky aktor për herë të parë po merr pjesë në Prizrenfest me një shfaqje. 

"Qendra e qytetit ta jep ndjesinë e festivalit. Ka mjaft njerëz dhe aktivitete në çdo kënd. Kjo më pëlqen shumë", tha ai në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, teksa u pyet për përshtypjet që po i lë qyteti i Prizrenit.

Para Kishës Katolike "Zonja Ndihmëtare" në Prizren mbahen shfaqje në kuadër të festivalit. 

Medisa Sagdati-Karavidaj, banore e Prizrenit, tha se qytetit të saj i është dashur një festival i tillë.

"E gjithë kjo është e shkëlqyeshme. Aktorët janë të afërt me fëmijët që aktivisht marrin pjesë në shfaqje. Në këtë mënyrë, fëmijët që herët mësojnë ta duan teatrin", tha ajo.

Aktorët dhurojnë shfaqje për qytetarët e Prizrenit. 

Drejtori i Kulturës në Prizren, Adem Morina, thotë se Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës.
 
"Duke promovuar artin, ne promovojmë trashëgiminë kulturore, por edhe ekonominë", tha ai.

Përveç rrugëve të Prizrenit, edhe kafenetë janë shndërruar në skena të teatrit, në kuadër të Prizrenfest-it.

Një shfaqje në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur - Prizrenfest.

Ernest Malazogu, aktor profesionist nga Prizreni, merr pjesë për herë të parë në këtë festival që mbahet në ambient të hapur. Ai tha se kjo është një sfidë për të. 

"Kisha frikë se si do të na pranonte publiku për shkak se luanim në kafene. Në fund, m'u duk se aty kemi luajtur për vite të tëra edhe pse ishte hera e parë", tha ai.

Një performues në rrugët e Prizrenit. Ai është një nga artistët prej 21 ansambleve që po marrin pjesë në Prizrenfest.

Milena Cvetanovska nga Maqedonia e Veriut ishte në Prizren për festivalin e teatrit. Ajo tha se një ngjarje e tillë është "pandan për festivalet e tjera botërore të këtij lloji".

"Organizimi është shumë i mirë. Ka një publik që na pranon", tha ajo, e cila në festival merr pjesë së bashku me bashkëshortin e saj, Vojo.

Kalimtarët shijojnë një shfaqje teatrore në njërin nga sheshet e Prizrenit.

Në Prizren, nga 21 deri më 28 korrik mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur - Prizrenfest. Ky festival mundëson që qytetarët dhe turistët të bëhen bashkë në shfaqje të ndryshme, pasi ato luhen në kafene, rrugë e pranë objekteve të kultit. (Përgatiti: Bekim Bislimi)