Në pritje të ringjalljes së Brezovicës

Brezovicë

Pas paralajmërimeve të autoriteteve kompetente për përshpejtim të proceseve kyçe për privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, njohës të çështjeve turistike dhe ekonomike e vlerësojnë hap të qëlluar por të vonuar.

Kompleksi turistik “Brezovica” gjendet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe, ndërsa përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar qysh në vitin 2006.

Ditë më parë Komiteti Drejtues Ndër-ministror për projektin Brezovica, ka aprovuar inicimin e procedurave të prokurimit, përkatësisht publikimin e shprehjes së interesit për identifikimin e investitorëve për këtë projekt.

Zekë Çeku, njohës i çështjeve të turizmit, e konsideron vendim të qëlluar, pasi sipas tij, për të ringjallur qendrën e skijimit “Brezovica”, urgjentisht duhet të përshpejtohet procesi i privatizimit.

Ai thekson se kompleksi Brezovica është degraduar në tërësi.

Dëshiroj të besoj se është marrë një vendim më vend, Brezovica është degraduar deri në atë masë, sa që mua më vjen keq që është pritur aq shumë për privatizimin e qendrës turistike”, shprehet Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Çeku, madje vlerëson se Brezovica ka kapacitet të mjaftueshëm për investitorët potencialë dhe njëherësh sipas tij,është qendra e vetme e gatshme për treg.

Privatizimi i 'Brezovicës' duhet të bëhet më një përqendrim më të sinqertë, më korrekt dhe të orientuar ekonomikisht në sigurimin e sjelljes se investitorëve të mirëfilltë. Jo të bëhen manipulime të llojllojshme për të përfituar një grupacion apo grup i njerëzve të caktuar, mirëpo të bëhet një privatizim i mirëfilltë me një tenderim ndërkombëtar. Brezovica është një ndër asetet më të vlefshme në Kosovë në lëmin e turizmit”, thekson Çeku.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike theksojnë nevojën e shpejtë të privatizimit të kompleksit turistik Brezovica.

Lekë Musa thotë për Radion Evropa e Lirë se privatizimi i këtij kompleksi do të sjellë përftime të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, dhe po ashtu do të ndikojë në uljen e shkallës së papunësisë në atë rajon.

Tërheqja e investitorëve të ndryshëm do të ketë efekt tjetër multiplikativ në ekonomi, do të iniciohen edhe projekte të ndryshme ekonomike përreth, sepse cilido investitor që do të vijë aty, i nevojitet ndihma për zbatuar investimet që do të ndërmerr", thekson Musa.

Sidoqoftë, Njësia për Implementimin e Projektit Zhvillimor të Brezovicës, tashmë ka prezantuar planin e zbatimit përkatësisht opsioneve zonale në të cilat është paraparë që të zbatohet projekti i Brezovicës.

Projekti Zhvillimor i Brezovicës pritet që ta shndërrojë atë në qendër turistike konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit turistik.

Shprehja e interesit do të publikohet të enjten në gazetat e përditshme të Kosovës dhe “Financial Times”, ndërsa më 2 dhe 9 shkurt në revistën “The Economist”.