A do të shënojë kthesë në ekonominë e Maqedonisë viti 2019?

Ilustrim

Gjatë vitit 2019 pritet të bëhen të dukshme rezultat e zhvillimit ekonomik vetëm nëse Qeveria e Maqedonisë realizon premtimin se këtë vit do të mbetet e fokusuar në ekonomi, përkatësisht realizimin e më shumë reformave në funksion të mëkëmbjes së ekonomisë dhe realizimin e investimeve kapitale, theksojnë afaristët.

Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar se këtë vit fokusi do të vendoset në çështjet ekonomike, pasi llogaritet se çështjet politike, si në planin e brendshëm ashtu dhe atë të jashtëm, janë vendosur në binarë të duhur .

SHIKONI EDHE: Maqedoni: Buxheti i vitit 2019-të i fokusuar në skema sociale

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një takim me afaristët është zotuar se ky vit do të karakterizohet me ekonominë.

“Të gjitha indikatorët tregojnë se 2019-ta do të jetë vit i ekonomisë. Presim rritje të madhe ekonomike, edhe pse rritja ekonomike, sipas buxhetit, është projektuar që këtë vit të jetë 3.2 për qind, kemi arsye reale të presim që rritja do të jetë më shumë se 4 për qind, nëse së bashku punojmë, nëse i realizojmë të gjitha projeksionet që i presim për shkak se kjo është e mundshme”.

“Rajoni jonë vetëm se ka arritur parametra të tilla, duhet edhe Maqedonia të arrijë në këta parametra të rritjes ekonomike. Nëse arrijmë të shënojmë rritje ekonomike prej 4 për qind, atëherë edhe qytetarët në mënyrë direkte do t’i ndiejnë përfitimet dhe beneficionet nga ekonomia”, ka theksuar Zaev.

Por, afaristët duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit të Maqedonisë se ky vit që kemi shkelur, do të jetë vit i ekonomisë, thonë se do të jenë të zëshëm në kërkesat e tyre, sepse, siç thonë, mëkëmbja e ekonomisë pa të drejtë është mbajtur për disa vite peng i problemeve politike.

“Do theksuar se ngecjet në shumë dimensione të ekonomisë janë evidente, në raport me atë se çka është premtuar dhe çka është realizuar. Kjo arsyetohet nga ana e qeveritarëve me një qëndrim që fare nuk mban, e ai është aspekti që i është dhënë problemit ndërkombëtar, respektivisht aderimit në NATO që pritet të ndodhë me zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit”, thotë Menderes Kuçi, afarist i cili njëherësh ka drejtuar dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

SHIKONI EDHE: Maqedonia me rritjen më të ulët ekonomike në 25 vitet e fundit

Ai, shton se relaksimi i klimës afariste gjatë vitit 2018, për një nuancë bën të shpresohet se gjërat mund të marrin të mbarën.

“Është ndier një lloj relaksimi në raportet me institucionet, të cilat kanë detyrë të realizojnë kontrollet ndaj firmave, në përgjithësi. Nuk është ndier ose të paktën nuk ka reagime nga ana e afaristëve se është bërë një lloj revanshizmi apo është ushtruar trysni ndaj kompanive. Po sa do të zgjasë, këtë nuk dimë ta themi si afaristë, ne jemi ata që kemi kërkuar një trajtim të barabartë të sektorit të biznesit nga ana e institucioneve”, thekson Kuçi.

Ndërkohë, nga Ministria e Financave të Maqedonisë kanë theksuar se nga buxheti për vitin 2019, janë ndarë 1.1 miliard denarë për masat aktive të punësimit që është për 10 për qind më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2018 , dhe dy herë më shumë se 2017.

Sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, realizimi i këtyre masave do të krijojë kushte për funksionim më të mirë të tregut dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

SHIKONI EDHE: Maqedoni: Ekonomia - mes reformave dhe mëkëmbjes nga kriza

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se vështirë se mund të kemi lëvizje të dukshme në planin ekonomik, përderisa është paraparë që edhe këtë vit të vazhdojë huamarrja dhe buxheti i shtetit edhe këtë vit është i projektuar në mënyrë që përmban deficit buxhetor.

Për ekonomistët, shqetësues është niveli i ulët i investimeve të huaja.

“Vetëm investimet kapitale mund ta ngritin nivelin e zhvillimit të ekonomisë në vend dhe me këtë t’i mundësojnë sektorit të biznesit të krijojë përfitime, vende të reja pune dhe rritjen e kapitalit -me këtë të paguhen më shumë tatime që do të mbushin arkën shtetërore”, vlerëson Goran Rafajllovski, ekspert i ekonomisë.

Njohësit e çështjeve ekonomike, gjithashtu thonë se trendi pozitiv në aspektin ekonomik, mund të bëhet i ndjeshëm vetëm pasi Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e NATO-s .