Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, për kompanitë vendore hapet tregu prej 500 milionë konsumatorë, Maqedonia do të hyjë në ekonominë më të madhe botërore, e cila merr pjesë me 23.8 për qind të Prodhimit Bruto Vendor në nivel botëror. Siguria në vend do të rritet dhe me këtë edhe mundësia për investime, rritje ekonomike e mirëqenie për qytetarët. Kështu vlerësojnë nga Qeveria duke komentuar përfitimet e mundshme nga suksesi i referendumit më 30 shtator dhe zhbllokimi i procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
Ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi, thotë se çmimi i anëtarësimit duhet të paguhet. Çekrexhi, i cili udhëheq një kompani shtypi sqaron se si BE-ja mund të ndihmojë në mënyrë direkte në biznesin e tyre.
“Kur të bëheni anëtare e BE-së, nuk do të keni barriera doganore, nuk do të ketë nevojë për shërbim për transport të mallrave, nuk do të ketë nevojë për formalitet doganore. Sistemi i dërgesave, postës së shpejtë e shërbimeve tjera, do të zgjerohej edhe në territorin tonë dhe kjo do të ishte një përfitim i madh. Pra, ne do të fillonim të përvetësonim shumë lehtë tregje të huaja”, thotë Çekrexhi.
SHIKONI EDHE: Ekspertët: Anëtarësimi në NATO e bën Maqedoninë të sigurtEkonomia e Maqedonia në pesë tremujorët e fundit nuk ka shënuar asnjë rritje, ndërsa tani në tremujorin e dytë të vitit 2018 është regjistruar rritje prej 3.1 për qind. Qeveria beson se parashikimet për rritje prej mbi 3 për qind do të realizohen, por ky parashikim nga ekspertët shihet si tepër ambicioz.
“Kjo rritje pjesërisht i dedikohet bazës së ulët pasi në tremujorin e dytë të vitit 2017 rritja ishte shumë e dobët, dhe kur këtë kemi parasysh, apo nëse bëjmë një krahasim, nga rritja e tanishme nuk duhet të çuditemi. Veç kësaj, rritja në këtë tremujor ka të bëjë edhe me industrinë përpunuese dhe në dallimin mes importit dhe eksportit. Supozoj se kjo ka të bëjë kryesisht me punën e fabrikave të huaja që mendoj se paraqet arsyen kryesore për një rritje të tillë. Nuk besoj se me këtë rritje do të përfundojë viti. Parashikimi i Qeverisë është tepër ambicioz”, thotë Marjan Petreski, njohës i çështjeve të ekonomisë.
SHIKONI EDHE: Mattis: Vota në referendum më e rëndësishmja në historinë e MaqedonisëZhbllokimi i procesit eurointegrues ndikon në zhvillimin ekonomik, por planet për rritje të hovshme nuk janë reale, thotë ndërkohë Trajko Sllavevski, ish-ministër i Ekonomisë. Ai thotë se Maqedonia ende ka shumë punë për të bërë nëse dëshiron që të ndjejë përfitimet nga integrimi në NATO dhe BE.
“Ne duhet të jemi ata, institucionet tona, të cilat para se gjithash duhet të forcohen, të jenë funksionale. Praktika tregon se ato forcohen me anëtarësimin në NATO dhe BE, por do të duhen shumë vite që të arrijmë prodhimin e dëshiruar industrial, rritjen ekonomike dhe produktivitetin që të kemi të ardhura dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët”, thotë Sllavevski.
Аgjencia “Standard and Poor’s” ka bërë të ditur se rejtingu kreditor në Maqedoni BB-/B mbetet stabil. Sipas raportit, pasiguria politike është ulur me konsolidimin e shumicës parlamentare, që duhet të lehtësojë zbatimin e reformave. Raporti, sipas Ministrisë së Financave pranon përparimin e bërë ndërsa veçon transparencën fiskale. Gjithashtu vlerësohet procesi i zgjidhjes së kontestit me Greqinë, por paqartësitë mbeten sa i përket referendumit. Dështimi eventual mund të rezultojë me krizë të re politike, por suksesi i referendumit do të hapte rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, që do të kishte përfitime shumë të mëdha në aspektin ekonomik, në zbatimin e reformave dhe rritjen e investimeve të huaja.