Prindërit e fëmijëve me autizëm thonë se kanë nevojë për mbështetje

Ilustrim

Fëmijët me autizëm në Kosovë përballen me vështirësi të shumta duke filluar nga procesi i diagnostikimit, e deri te rehabilitimi i tyre. Por, sfida më e madhe për fëmijët me autizëm mbeten shërbimet e shtrenjta shëndetësore, prej diagnostikimit e deri tek shkollimi i tyre.

Mejreme Petrovci, është nënë e një fëmije me autizëm. Ajo flet për vështirësitë me të cilat përballet, marrë parasysh se duhet t’i sigurojë mjetet për mbulimin e shpenzimeve që përfshijnë, shkollimin dhe sigurimin e asistenit në shkollë e deri te shërbimet shëndetësore dhe seancat e nevojshme.

‘’Për një muaj i shpenzojmë mbi 700 euro për terapi, seanca, asistentin në shkollë, e që kjo kosto po del e papërballueshme. Ne gjithashtu paguajmë rrugën cdo ditë, pasi që nuk jetoj në Prishtinë, por udhëtoj nga fshati”, thotë ajo.

“Asistentë në shkollë nuk ka nga shteti, ata duhet t'i paguajmë vetë, sikur terapinë në qendër për autizmin që e paguajmë. Nese e mban një orë gjatë ditës 100 euro në muaj, nëse e mban orarin e plotë të mësimit, pra 4 orë, duhet asistenti të paguhet 400 euro në muaj. Gjithashtu në qendër paguhet 5 euro ora. Unë e sjelli djalin çdo ditë 5 herë në javë nga dy orë, e që paguaj 200 euro në muaj. Besomni janë të papërballueshme. Vetëm burri punon, pasi unë e kam ndërprerë punën për shkak të djalit që t'i përkushtohem sa më shumë’’, tha Petrovci.

SHIKONI EDHE: Shkollat me mungesë të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

Sunita Kurti drejtoreshë në shoqatën ‘’Autizmi’’ duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se fëmijët që dyshohet se kanë autizëm, nuk mund të diagnostikohen me seancën e parë.

Ndonëse thotë se janë munduar që në qendrën që ajo udhëheq t’i bëjnë çmimet e volitshme, prapë kostoja për familjet me fëmijë me autizëm, sipas saj, del të jetë e papërballueshme për shumë prindër.

“Vështirësitë janë të shumta, qysh nga diagnostikimi pasi mungon ekipi multidisiplinar në çdo qendër speciale për diagnostikim të autizmit. Përveç asaj kjo kushton shumë financiarisht dhe prindërit përballen me këtë vështirësi. Ne si shoqatë jemi munduar t'i bëjmë çmimet më të lira, pasi kjo shoqatë është formu prej ve të prindërve të fëmijëve me autizëm. Pastaj problemi tjetër është integrimi në shkolla e që nuk i pranojnë pa asistentë, e prindërit prapë duhet të paguajmë për asistentë”, tha Kurti.

Edhe një tjetër nënë e një fëmije me autizëm, Arieta, thotë se kushtet financiare kanë peshën kryesore për përparimin e fëmijëve me autizëm, pasi çdo trajtim për këta fëmijë kushton shumë.

“Sa i përket fëmijës tim, unë e dërgoj në qendrën e autizmit dhe fëmija im ka një përparim shumë të madh dhe i falënderoj shumë psikologët. Por, ne kemi mundësi financiare dhe e bëjmë për fëmijën tonë, por shumica e prindërve nuk po kanë mundësi që t'i paguajnë seancat e që kushtojnë. Por, unë mendoj se në vendin tonë ka mjaft hapsirë për intervenim pozitiv, pasi që shoqëria jonë nuk ka njohuri për autizmin. Institucionet bëjnë shumë pak, tepër pak flitet për autizmin", theksoi Arieta.

Tutje, Kurti shton se në Kosovë mungon ekipi multidiciplinar e që përbëhet nga pediatri, psikologu, logopedi, psikiatri e që do duhej të ishin prezent në seanca me fëmijë.

"Mungon kuadro profesionale për ofrimin e shërbimeve për fëmijët me autizëm. Ne në shoqatë kemi psikologë të trajnuar për të kryer terapinë individuale por jo edhe njerëz profesionistë për me mbikëqyr punën me pas’’, tha Kurti.

Sipas organizatave joqeveritare, numri i fëmijëve me autizmëm në Kosovë, llogaritet të jetë afër 500, edhe pse statistikat zyrtare mungojnë.

Ndërsa, statistikat në botë tregojnë se ndër 110 fëmijë të lindur, një nga ta është i prekur me autizëm, që shkakton çrregullime në zhvillimin e fëmijës.

Karakteristikë e fëmijëve të prekur nga autizmi janë problemet me komunikimin verbal dhe joverbal, si dhe sjelljet e tyre ndaj rrethit.