Prigozhin: 99% e pjesëtarëve të Wagnerit janë larguar nga Bahmuti

Udhëheqësi i forcës mercenare ruse, Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Udhëheqësi i forcës mercenare ruse, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka thënë se gati të gjithë luftëtarët e tij janë larguar prej qytetit ukrainas të Bahmutit.

Prigozhin ka thënë në mbrëmjen e së premtes se, 99 për qind e njësiteve të tij tani janë jashtë Bahmutit.

“Të gjitha pozicionet u janë dorëzuar njësiteve të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Gjithçka është sqaruar”, ka thënë Prigozhin.

Shefi i Wagnerit ka thënë se trupat e tij do të tërhiqen nga linja e frontit, mirëpo do të vazhdojnë të jenë të stacionuara në rajonin lindor ukrainas, Donjeck.

Sipas saj, së fundi nuk janë regjistruar “provokime” nga forcat e armatosura ukrainase.

SHIKONI EDHE: “Lufta e klaneve për fronin e Putinit ka nisur”

Komandanti i forcës tokësore ajrore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka thënë se ushtria e tij ka pushuar së luftuari në Bahmut.

Palët kanë luftuar për Bahmutin që disa muaj.

Para se të niste lufta, ky qytet i ka pasur rreth 70.000 banorë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën për të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, se Ukraina është e gatshme të nisë kundërofensivën për të rikthyer kontrollin e territoreve të pushtuara nga forcat ushtarake ruse.

Rusia tani zotëron territor ukrainas në lindje, jug dhe juglindje të shtetit.

SHIKONI EDHE: Zelensky: Ukraina është e gatshme ta nisë kundërofensivën

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.