Presidenca çeke e BE-së përmbyllet me përparim në procesin e zgjerimit

Kryeministri çek, Petr Fiala, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, gjatë një konference shtypi gjatë Samitit të BE-së brenda Komunitetit Politik Evropian, në Kështjellën e Pragës në Pragë. 6 tetor 2022.

Me përfundimin e vitit 2022 përfundon formalisht edhe kryesimi i radhës i Bashkimit Evropian nga Republika Çeke.

Ky shtet, për gjashtë muaj, kryesoi bllokun 27-anëtarësh për herë të dytë prej se u bë vend anëtar i tij më 1 maj të vitit 2004.

Për Çekinë, si prioritete u imponuan temat që kishin të bënin me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e këtij pushtimi.

Çekia, me sukses, koordinoi punën në miratimin e disa pakove të sanksioneve kundër Rusisë, por edhe në miratimin e vendimeve të përbashkëta të BE-së për kufizimin e çmimeve të naftës dhe të gazit. Çmimet e këtyre produkteve u rritën ndjeshëm, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Ato që u cilësuan si suksese në kryesimin gjashtëmujor të Çekisë, ishin edhe disa vendime që shënuan kthesë në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe në raportet e BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Pak ditë para se Çekia ta merrte kryesimin e bllokut nga Franca, në fund të qershorit, ndodhi një kthesë e madhe, kur dy vende të fqinjësisë lindore evropiane, Ukraina dhe Moldavia, me një procedurë të përshpejtuar, morën statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Gjeorgjisë iu premtua dhënia e të njëjtit status pasi t’i përmbushte disa kushte.

Presidenca çeke, nga fillimi, e bëri prioritet procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe raportin e saj me Ballkanin Perëndimor.

SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor - prioritet i kryesimit çek me BE-në

Si synime të saj veçoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ndarjen e statusit të vendit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën.

Në të gjitha këto çështje, Çekia mbeti këmbëngulëse deri në fund dhe arriti suksese.

Pikërisht, gjatë kryesimit të saj, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat e anëtarësimit në BE.

Arritja e konsensusit në BE për këto negociata nuk ishte e lehtë, pasi Bullgaria mbante të bllokuar dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, për shkak të disa mosmarrëveshjeve dypalëshe në lidhje me gjuhën dhe historinë. Për pasojë, e bllokuar mbetej edhe Shqipëria, pasi të dyja vendet shkonin në paketë.

Çekia arriti sukses edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën - një çështje që në Këshillin e BE-së nuk ishte hapur as formalisht për më shumë se katër vjet, edhe pse dy institucionet tjera të BE-së - Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian - kishin shprehur mbështetje të parezervë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, ishin disa vende anëtare, si Franca, që ishin më hezituese.

SHIKONI EDHE:

Liberalizimi i vizave, edhe një hap më afër Parlamenti dhe Këshilli i BE-së arrijnë marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën

Përpjekjet e Presidencës çeke u kurorëzuan së pari me pajtimin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky pajtim u shndërrua në një kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi - që kërkon nga qytetarët e huaj që udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre - është shtyrë disa herë. Pritjet tani janë që të funksionalizohet në nëntor të vitit 2023, por edhe nëse shtyhet më, liberalizimi i vizave për Kosovën, sipas vendimit të BE-së, nuk do të shtyhet përtej datës 1 janar të vitit 2024.

Pasi për këtë ranë dakord të gjitha vendet anëtare në Këshill, nisën negociatat me Parlamentin Evropian, për të formalizuar vendimin, në përputhje me procedurat e BE-së. Tash, ka mbetur që në fillim të vitit të kryhen edhe disa hapa formalë që vendimi të jetë i përmbyllur.

Më 15 dhjetor, dy javë para se Çekia të përfundonte kryesimin e bllokut, edhe Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE. Ky hap u konkretizua falë gatishmërisë së Qeverisë së Çekisë që të pranojë aplikimin formal të Kosovës në një ceremoni në Pragë.

SHIKONI EDHE: Kosova aplikon për anëtarësim në BE

Në të njëjtën ditë, kur Kosova dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE, Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Çekia u angazhua shumë për të krijuar konsensusin në BE për t’ia dhënë Bosnjës këtë status. Ndonëse një gjë të tillë, me disa kushte, e kishte rekomanduar më herët Komisioni Evropian, mbështetja e nevojshme e të gjitha vendeve anëtare mungonte. Çekia e konsideron edhe këtë si sukses të vetin.

Gjatë kryesimit të Çekisë me BE-në, në muajin dhjetor në Tiranë u zhvillua edhe samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

SHIKONI EDHE: Rëndësia e samitit BE - Ballkani Perëndimor në Tiranë

Sipas disa diplomatëve, falë angazhimit të Çekisë, viti 2022 u përmbyll si njëri ndër vitet më të suksesshme sa u përket vendimeve konkrete të BE-së në procesin e zgjerimit dhe raporteve të saj me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryesimin gjashtëmujor të BE-së nga 1 janari e merr Suedia.