Irani shpreh gatishmërinë të zhvillojë bisedime për të ringjallur marrëveshjen bërthamore, por thotë se ato nuk duhet të mbahen nën “presionin” e vendeve perëndimore.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se bisedimet janë në planin e qeverisë së tij dhe se vendi i tij është i orientuar drejt rezultateve.
Dy vende anëtare të Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Iranit të kthehet në negociata. Irani nuk heziton të flasë dhe negociojë, tha Raisi.
"Por amerikanët dhe perëndimorët po kërkojnë dialog me presion", shtoi ai.
Që nga muaji prill gjashtë raunde bisedimesh për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015 janë mbajtur në Vjenë, por ato u ndërprenë pas zgjedhjeve iraniane në qershor që sollën Raisin në pushtet.
Në muajin gusht, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe shprehën shqetësime të mëdha në lidhje me raportet se Irani kishte shtuar prodhimin e metalit të uraniumit të pasuruar, duke ngritur frikën se Teherani po synon posedimin e një arme bërthamore.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja sanksionon katër zyrtarë të inteligjencës iranianeMë vonë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi raportet se Irani kishte rritur ndjeshëm kapacitetin e tij prodhues për 60 për qind uranium të pasuruar.
Për prodhimin e bombës bërthamore uraniumi duhet të jetë i pasuruar në shkallën 90 për qind.
Marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), ia kufizon Teheranit pasurimin e uraniumit në shkallën 3.67 për qind.
Irani pretendon se ambiciet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile.
Sipas marrëveshjes midis Iranit dhe Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ra dakord të pezullojë shumë nga aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe bëri thirrje për një marrëveshje më të gjerë që do të përfshinte edhe kufizimin e aktiviteteve rajonale të Iranit dhe programin e raketave.
Presidenti Joe Biden, i cili mposhti Trumpin vitin e kaluar, ka thënë se ai dëshiron që Uashingtoni të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore.
Më 27 gusht, Biden i tha kryeministrit izraelit, Naftali Bennett se në raport me Iranin ai e ka vënë "diplomacinë në rend të parë" në përpjekjen për të frenuar programin bërthamor të Iranit, por nëse negociatat dështojnë, ai do të ishte i përgatitur t'i drejtohej opsioneve të tjera.