Presidentja thërret në takim partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim për 14 nëntor, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kryetarët e këtyre komunave të banuara me shumicë serbe kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Në njoftimin e presidencës, më 11 nëntor, thuhet pas konsultimit me partitë politike, Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

SHIKONI EDHE: Çka pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet në veri?

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri - nisur nga policia deri te gjykatat. Dorëheqje kanë dhënë edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, të cilët vinin nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.