Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, kritike e madhe e partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e ka quajtur Parlamentin e vendit si të jashtëligjshëm dhe është zotuar se do ta mbajë pozitën e presidentes edhe pasi t’i ketë mbaruar mandati në dhjetor.
Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se e ka shkëputur “partneritetin strategjike” me Gjeorgjinë.
Gjeorgjia është duke u përballur me trazira prej zgjedhjeve parlamentare në tetor – të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane – por me opozitën dhe qeveritë perëndimore që argumentuan se votimi u përshkrua me shkelje dhe me ndikim rus.
Zurabishvili tha më 30 nëntor se Parlamenti “ilegal” nuk ka të drejtë ta zgjedhë pasardhësen e saj pas përfundimit të mandatit të saj në dhjetor dhe u zotua se do ta mbajë postin.
“Nuk ka Parlament legjitim, dhe për rrjedhojë, një Parlament jolegjitim nuk mund ta zgjedhë një president të ri”, tha Zurabishvili.
SHIKONI EDHE: Protestuesit shpërndahen dhunshëm, diplomatët kritikojnë Qeverinë gjeorgjiane“Prandaj, asnjë inaugurim nuk mund të ndodhë, dhe mandati im vazhdon deri sa të formohet një Parlament i zgjedhur në mënyrë legjitime”, shtoi ajo, duke krijuar një përplasje të mundshme me Ëndrrën Gjeorgjiane.
Ndërkohë, Uashingtoni dënoi masat e sigurisë të përdorura kundër gjeorgjianëve që kanë protestuar pas zgjedhjeve të kontestueshme dhe pas një njoftimi më 28 nëntor nga kryeministri Irakli Kobakhidze se Qeveria e tij do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në BE dhe do t’i refuzojë grantet buxhetore nga Brukseli “deri në fund të vitit 2028”.
“Shtetet e Bashkuara e dënojnë përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër gjeorgjianëve që përpiqen t’i ushtrojnë të drejtat e tyre për tubim dhe për t’u shprehur, përfshirë lirinë e tyre për të protestuar paqësisht”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
“Duke pezulluar procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE, Ëndrra Gjeorgjiane e ka refuzuar mundësinë për lidhje më të ngushta me Evropën dhe e ka bërë Gjeorgjinë më të cenueshme ndaj Kremlinit”, tha ai.
“Veprimet e ndryshme antidemokratike të Ëndrrës Gjeorgjiane kanë shkelur parimet bazë të Partneritetit Strategjik SHBA-Gjeorgji, i cili bazohej në vlera të përbashkëta dhe angazhime për demokracinë, sundimin e ligjit, shoqërinë civile, respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe përpjekjeve kundër korrupsionit. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar këtë mekanizëm”, theksoi ai.
SHIKONI EDHE: Opozita në Gjeorgji i vazhdon protestat kundër rezultatit të zgjedhjeveMë shumë se 100 persona u arrestuan në një tubim të madh pro-BE në Tbilisi më 29 nëntor, ndërsa policia gjeorgjiane përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se protestuesit kishin “fyer dhe sulmuar fizikisht” oficerët e policisë dhe kishin hedhur objekte të ndryshme drejt forcave të sigurisë.
Video të ndryshme nga protesta shfaqën oficerë policie duke i rrahur protestues.
Kobakhidze sugjeroi më 30 nëntor se kishte incidente të “izoluara” të brutalitetit policor, por edhe “dhunë sistematike” kundër forcave të sigurisë nga protestuesit.
“Në njërën anë kishte dhunë, në anën tjetër kishte incidente”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Ditë më parë, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë e cila bën thirrje për zgjedhje të reja legjislative në Gjeorgji dhe për sanksione ndaj anëtarëve të lartë të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.
SHIKONI EDHE: Macron, Scholz e Tusk, të shqetësuar për situatën në GjeorgjiNë rezolutë thuhet se rezultati i zgjedhjeve nuk "shërben si përfaqësim i besueshëm i vullnetit të popullit gjeorgjian".
Gjithashtu, rezoluta i kërkon Bashkimit Evropian, i cili e ngriu aplikimin e Gjeorgjisë për anëtarësim muajin e kaluar, të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve kryesorë të partisë në pushtet, përfshirë Irakli Kobakhidze.
Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për BE në dhjetor 2023, por marrëdhëniet me Brukselin janë përkeqësuar muajt e fundit, sidomos pas miratimit të ligjit kontrovers për "agjentët e huaj," që kritikët thonë se synon t’i diskreditojë mijëra media dhe grupe të shoqërisë civile si "shërbyes të fuqive të huaja".