Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis të martën turneun në Ballkanin Perëndimor.
Ndalesat e para të saj do të jenë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Më 29 shtator, ajo do të qëndrojë në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, ndërsa një ditë më vonë në Bosnje e Hercegovinë.
Von der Leyen e ka paralajmëruar këtë turne në fjalimin e saj për gjendjen e BE-së, në mes të shtatorit.
Gjatë atij fjalimi, von der Leyen ka thënë se investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e BE-së.
“Para fundit të muajit, do të shkoj në rajon për të dërguar sinjalin e fortë për vazhdimin e procesit të zgjerimit [të BE-së]. Këtë ua kemi borxh të gjithë të rinjve që besojnë në të ardhmen në Evropë”, ka thënë von der Leyen.
Vizita e von der Leyenit zhvillohet para një samiti ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Bërdo të Sllovenisë.
SHIKONI EDHE: Gjërat që nuk u thanë në fjalimin e Ursula von der Leyenit